Komisioni i të Drejtave të Njeriut dhe Medias ka miratuar vetëm me votat e socialistëve kandidaturën e Genta Bungos për Komisionere për Mbrojtjen nga Diskriminimi.

Kandidatura e saj i është përcjellë tanimë seancës plenare, e cila duhet të votojë me të paktën 71 vota Bungon si komisionere.

Mbledhja zgjati vetëm 7 minuta dhe është thirrur nga 1/4 e anëtarëve që janë vetëm socialistët.

Për këtë ka reaguar edhe deputejtja Jorida Tabaku, e cila përmes rrjeteve sociale thotë se "ajo që ndodhi sot në Komisionin e të Drejtave të Njeriut është një shembull i qartë i një Parlamenti ku dialogu po zëvendësohet nga imponimi",

"Pas përfundimit të mbledhjes së rregullt të Komisionit, mazhoranca thirri një tjetër mbledhje, duke përdorur forcën e numrave për të imponuar emërimin e Genta Bungo Tafës si Komisionere kundër Diskriminimit.

Së pari, institucionet e pavarura nuk janë zgjatim i institucioneve të tjera dhe as stacione tranziti për emërime politike. Kjo është hera e tretë që përfaqësues të të ashtuquajturës “drejtësi e re” transferohen në institucione të pavarura, duke ngritur pikëpyetje serioze si për vendimet e tyre të mëparshme, ashtu edhe për pavarësinë e institucioneve ku emërohen sot.

Së dyti, imponimi i vendimeve përmes një mbledhjeje të thirrur me forcën e kartonëve, duke anashkaluar opozitën dhe çdo standard normal parlamentar, është pikërisht ajo që kritikohet sot në raportet ndërkombëtare. Siç theksohet qartë në raportin e Parlamentit Europian, një proces demokratik kërkon bashkëjetesë reale dhe hapësirë për opozitën — jo zëvendësimin e saj.

Ajo që ndodhi sot në Komisionin e të Drejtave të Njeriut është një shembull i qartë i një Parlamenti ku dialogu po zëvendësohet nga imponimi.

Së treti, kur përfaqësues të shoqërisë civile përfshihen në politikë, pritet të sjellin standarde dhe integritet — jo të legjitimojnë vendime që dëmtojnë besimin publik.

Sepse, përtej politikës, mbetet një vijë që nuk duhet kaluar: dinjiteti",- shkruan Tabaku.