Erdgys Arrazi, i akuzuar si personi që shty gruan drejt vetëvrasjes, do të qëndrojë në qeli. Vendimi u konfirmua nga Gjykata e Apelit, e cila la në fuqi masën arrest në burg për 31-vjeçarin, pasi bashkëshortja e tij Alma Arrazi u vetëmbyt në lumin Bunë të Shkodrës bashkë me 3 fëmijët e mitur.

Para togave të zeza, i riu shpërtheu në lot duke thënë se është i pafajshëm dhe ende nuk ka shkuar pranë varrit të 3 fëmijëve.

“Ju lutem shikoni gjendjen time! S’kam vajt hala te varri i fëmijëve. Çfarë kam bërë që më mbani në burg, të paktën të di çfarë kam bërë”.

Arrazi u transportua herët mëngjes nga burgu i Reçit dhe në seancë u paraqit së bashku me avokatin e tij, ndërkohë që të pranishëm ishin edhe familjarë. Ndaj Erdgys Arrazit rëndon akuza për veprën penale ‘Shkaktim i vetëvrasjes’. Dyshohet se 39-vjeçarja Alma Arrazi e mori aktin ekstrem duke u vetëmbytur me fëmijët në lumë pasi dhunës së vazhdueshme psikologjike dhe tradhtisë nga bashkëshorti.

Më datë 2 maj 2023, Alma Arrazi mori tre fëmijët përdore, Arditin 3 vjeç, Gresin 7 vjeçe dhe Ergesën 9 vjeçe dhe u vetëmbytën në lumë.  Ngjarja tragjike u zbulua kur u gjet rastësisht nga një peshkatar trupi i vajzës së parë, ndërsa trupat e tjerë u gjetën pas 3 ditë kërkimesh nga polumbarët.

Trupat e fëmijëve dhe nënës u gjetën nga data 4 maj deri më 7 maj, gjatë kërkimeve në rrjedhën e lumit Buna. Me kërkesë të familjarëve, Alma u varros në Durrës pranë nënës së saj, ndërsa fëmijët prehen në Shkodër.