BULQIZE - Një fëmijë 11 vjeç është gjetur i vetëvarur në një ndërtesë të vjetër që shërbente si stallë për bagëtitë, ndërsa dyshohet se vogëlushi të ketë ndërmarrë këtë akt pas një zënke me të atin.

Ngjarja ka ndodhur gjatë orëve të pasdites së sotme në fshatin Gjoricë e Poshtme të Bulqizës.

Ende nuk dihen arsyet reale të cilat e çuan 11 vjeçarin Edison Lleshi drejt këtij akti, por nga informacionet paraprake dyshohet se shkak mund të ketë qenë një kërkesë që Edisioni i ka bërë babait të tij Arjanit për t’i blerë një dhuratë për Vitin e Ri, -raporton korrespondenti nga Bulqiza, Daniel Shehu.

Trupi i pajetë i 11-vjeçarit është gjetur nga familjarët e tij, të cilët kanë njoftuar uniformat blu të Bulqizës.

Policia dhe grupi hetimor kanë mbërritur në vendngjarje dhe po hetojnë rrethanat të cilat çuan 11-vjeçarin drejt vetëvarjes.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)