Vetëvendosje merr Prishtinën
prej 14 vitesh një bastion i LDK

Vetëvendosje merr Prishtinën<br />prej 14 vitesh një bastion i LDK
PRISHTINË - Vetëvendosja ka arritur fitoren e madhe duke marrë Prishtinën, kryeqytetin e Kosovës që prej 14 vitesh ishte kthyer në një bastion të LDK-së dhe Isa Mustafës. Ky i fundit ka humbur postin e kryebashkiakut të kryeqytetit por duket se, LDK-ja që ai kryeson është kthyer si forcë e parë në Kosovë.
 
Shpend Ahmeti e ka mposhtur në garë për Prishtinën, LDK-në, duke u bërë kryetar i ri. Shpend Ahmeti ka fituar 51.05 % të votave përkundër 48.05 të Isa Mustafës. Katër vitet e ardhshme Prishtina do të ketë kryetarë të ri dhe për herë të parë nga një parti tjetër Shpend Ahmetin.
 
VETËVENDOSJA KRYEN FITOREN E MADHE, MERR PRISHTINEN
Rreth mesnatës krerët e vetëvendosjes kanë shpallur fitoren e tyre në Prishtinë. Pas mesnatës, Dardan Sejdiu shpalli publikisht në një konferencë për media fitoren e Shpend Ahmetit, duke theksuar se dallimi është mbi 3 mijë vota dhe se përmbysja e rezultatit është i pamundur, duke marrë parasysh se kishin mbetur mbetur edhe pak vota për tu numëruara.
 
KREU I LDK, ISA MUSTAFA: FITUAM KOSOVËN
Pas shpalljes së rezultateve paraprake në një konferencë të shkurtër për gazetarë, kreu i LDK-së, Isa Mustafa u shpreh se partia e tij ka fituar Kosovën, pasi ka përmbysur rezultatet e para katër vjetëve në Gjilan, Pejë, Ferizaj, Viti, Suharekë, Lipjan, ndërsa në koalicion me AKR-në edhe në Mitrovicë. Sa i përket Prishtinës, ndërkaq, nuk tha se e ka humbur, por u shpreh se rezultatet e deritashme për kryeqytetin nuk janë të kënaqshme për të dhe për partinë që udhëheq ai.    
 
FESTË NË PRISHTINË, VETËVENDOSJE NGRE FLAMURIN KUQ E ZI
Fituesi i kryeqytetit në balotazh, Shpend Ahmeti para simpatizantëve dhe qytetarëve të tubuar në shesh vlerësoi se fitorja e sotme është fitore e të gjithë qytetarëve të Prishtinës. “Deri tash flamurin kombëtare e kemi ngrit vetëm në protesta, por sot zemra mal po më bëhet kur po ju shoh gjithëve këtu”. “Sot është veç hapi i parë i ndryshimit të madh, sot është fitorja e juaj, fitorja e banorëve të Prishtinës”, tha Ahmeti.
 
I entuziazmuar, kreu i ardhshëm i kryeqytetit tha se kështu sikur sonte do të festojnë shumë, por gjithmonë pas punëve dhe përfundimit të ndonjë pune. “Kemi për të punuar bashkë dhe do të festojmë për secilën punë të kryer. Kur do të mund të lahemi në orën 3 të natës do të festojmë, sepse do të kemi ujë. Do të festojmë kur ta rregullojmë transportin publik. Do të festojmë kur ta bëjmë Prishtinën ashtu siç e duam ne”, tha ai, duke premtuar se do t’i përmbushë ato që i ka premtuar gjatë fushatës.
 
Simpatizantëve u është drejtuar edhe Albin Kurti me fjalimin e tij. “Fitorja e madhe që fillon në qytetin më të madh për të vazhduar në tërë Kosovën. Ju e keni bërë këtë fitore. Fitore e demokracisë, e republikës, e Prishtinës, e Shpendit, e Vetëvendosjes”, ka thënë Kurti. Nën brohoritjet "Albin Kurti" "Vetëvendosje" "Shpendi", qindra qytetarë përkrahës të Lëvizjes Vetëvendosje kanë dalur para Teatri Kombëtar për të festuar fitoren e Shpend Ahmetit.
 
REZULTATET NË ZGJEDHJET LOKALE, PDK E HUMBURA E MADHE
Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar në shtatë komuna, kurse Partia Demokratike e Kosovës në pesë. Nëse llogariten edhe rundi i parë, del se LDK-ja në garën për kryetarë të komunave ka fituar në 10 komuna të vendit, kurse PDK-ja në nëntë sish.
 
Por, ç’është edhe më e keqja për PDK-në, pas Prizrenit, ajo ka humbur komunat e mëdha si Peja, Gjilani, Ferizaj dhe Mitrovica, kështu që PDK-së nuk i ka mbetur për tu mburrur me këto zgjedhje. Ajo ka humbur edhe në Malishevë, Lipjan, kurse ka fituar në Klinë dhe Rahovec.
 
AAK-ja, ndërkaq, e ka humbur Pejën, Suharekën dhe Rahoveci, me të cilat ka udhëhequr në mandatin e kaluar, ndërsa e ka fituar Obiliqin.    
 
 AKR-ja për herë të parë ka fituar dy kryetarë të komunave, në Gjakovë dhe Mitrovicë, por shumë analistë mendojnë se të paktën fitorja në Gjakovë është meritë e vet kandidates së saj Mimoza Kusari-Lila, e cila tashi edhe zyrtarisht do të jetë gruaja e parë në krye të një komune.
 
MITROVICA E VERIUT, HUMB IVANOVIÇ, FITON PANTIÇ
Krstmir Pantiç do të jetë kryetar i ri i Mitrovicës së Veriut. Ai ka fituar garën e ngushtë me kundër kandidatin e tij Oliver Ivanoviç. Pantiçka fituar 55.2 % të votave ndërsa Ivanoviç ka fituar 44.8 %.

Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

'Aktrim i dobët' para miratimit të Reformës Zgjedhore!

'Aktrim i dobët' para miratimit të Reformës Zgjedhore!