Kryeministri Edi Rama është shprehur se filozofia e buxhetit 2027 është krijimi i sa më shumë pasurive, në mënyrë që ajo të shpërndahet në mënyrë më të drejtë.

Për kryeministrin Edi Rama, mbyllja ‘e derës’ investimeve të huaja në Shqipëri është një ‘vetëvrasje ekonomike’ që PS nuk do ta lejojë kurrë.

“Në mbyllje dua të them se nuk duhet ta harrojmë për asnjë çast se të gjitha këto mbështetje e investime nuk bien nga qielli. Ato vijnë nga një punë kuptimplotë e shqiptarëve që nuk dalin në TV, e atyre që s’kanë kohë të ulërijnë në Tik Tok, e shqiptarëve që janë të organizuar në ferma e turizëm. Këto vijnë nga një Shqipëri ku rriten investimet e brendshme e të huaja. Prandaj unë e refuzoj kategorikisht çdo lloj pabesie e poshtërsie në kurriz të këtij vendi që ushqen refuzimin e kundërshtimin ndaj investimeve të huaja. Sot të gjitha vendet e Europës janë në një konkurrencë gjithmonë e më të egër, kush tërheq më shumë investime të huaja. Ne s’jemi vendi kur dera për investimet e huaja hapet, të bëjmë sikur duam të mbrojmë vendin nga investimet. Kjo është vetëvrasje ekonomike që ne nuk kemi për ta pranuar kurrë.

Në të gjithë sektorët që e bëjnë ekonominë më konkurruese, janë në këtë buxhet më të larta se asnjëherë. Ne duhet të bëjmë një sforco maksimale që të shkojmë edhe përtej këtyre investimeve, duke parë më shumë aty ku njerëzit jetojnë jetën e tyre të përditshme, në lagjet periferike dhe në zonat rurale. Ne nuk shpenzojmë të nesërmen për të shtyrë të sotmen, por as mund t’u themi njerëzve që të presin pafundësisht të nesërmen që të ndjejnë përfitimet e zhvillimit të sotëm. Kjo është filozofia e këtij buxheti të ri, të krijojmë më shumë pasuri për të pasur më shumë mundësi që ta shpërndajmë atë më drejtë. Ne e jemi fituar çdo garë statistikash me këta të lodhurit këtu. Ndryshe nga sa pëllasin e ulërasin ata që bëjnë sikur nuk kuptojnë, kjo Shqipëri është një Shqipëri tjetër dhe ekonomia shqiptare është më e fortë se asnjëherë tjetër”, tha mes të tjerash Rama.


Lajmi kryesor:

LIVE TV - Kuvend/ Rama: Buxhet historik, prek tavanin e 10 miliardë eurove, kemi trefishuar ekonominë! PD la sallën, rikthehet pas fjalimit të kryeministrit