Zbatimi i ligjit të Vetingut vë në lëvizje një shumësi institucionesh dhe organesh shtetërore, të cilat duhet të kryejnë disa detyra të parashikuara në ligj, brenda një afati të caktuar kohor, në kuadër të nisjes së kontrollit të njerëzve të drejtësisë.

Vendimi i Parlamentit, i cili miratoi 27 anëtarët e organeve të Vetingut, detyron katër institucione që të përgatisin dosjes për 800 gjyqtarë dhe prokurorë, për t’i vënë në dispozicion të organeve të Vetingut dhe të përfaqësuesve të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

Konkretisht, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Shkolla e Magjistraturës, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Drejtoria për Sigurimin e Informacionit të Klasifikuar pranë Kryeministrisë, duhet t’u dorëzojnë organeve të Vetingut dosjet e gjyqtarëve dhe prokurorëve, për procesin e vlerësimit, aftësitë profesionale, ligjshmërinë e pasurive dhe lidhjet e mundshme me krimin.

KLD dhe Shkolla e Magjistraturës  
Këshilli i Lartë i Drejtësisë duhet t’i dorëzojë Komisionit të Vetingut të gjitha dosjet për vlerësim e gjyqtarëve, përfshirë vlerësimet në proces, ato të përfunduara dhe të planifikuara.

Po ashtu, Shkolla e Magjistraturës duhet të përgatisë një relacion për gjyqtarët dhe prokurorët e parë që do t’i nënshtrohen Vetingut, për vlerësimin e aftësive profesionale mbështetur në raportin e inspektorëve, informacionin e marrë nga burime të tjera, si dhe në kriteret e vlerësimit, të parashikuara në legjislacionin që rregullon statusin e gjyqtarëve ose prokurorëve dhe akteve të tjera ligjore. Në përfundim, relatori propozon për subjektin e rivlerësimit nëse është i aftë, ka mangësi apo është i papërshtatshëm.

ILDKP  
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ka rolin më të rëndësishëm në procesin e Vetingut. Rekomandimet e ILDKP, sa i takon ligjshmërisë së pasurive, janë vendimtare për fatin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. ILDKP, në bazë të ligjit të Vetingut, ka nisur prej muajsh kontrollin e pasurive të njerëzve të drejtësisë. ILDKPKI-ja kryen një procedurë të plotë kontrolli sa më shpejt të jetë e mundur, por jo më vonë se 180 ditë nga dita e depozitimit të deklaratës së pasurisë.

Inspektori i Përgjithshëm i ILDKPKI-së, për qëllimet e rivlerësimit, mund të kërkojë nëpërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave ose Ministrisë së Drejtësisë dokumentet për pasuritë në pronësi të subjekteve të rivlerësimit dhe personave të lidhur me ta, dokumentet që përdoren jashtë shtetit nga subjektet e rivlerësimit dhe personat e lidhur me ta, ose të dhënat financiare mbi çdo transaksion financiar brenda ose jashtë vendit.

Në përfundimin të kontrollit, Inspektori i Përgjithshëm i ILDKPKI-së përgatit një raport të hollësishëm dhe të arsyetuar, ku sipas rastit, konstaton se nëse deklarimi është i saktë në përputhje me ligjin, ka mungesë të burimeve financiare, është kryer fshehje e pasurisë, është kryer deklarim i rremë apo subjekti gjendet në situatën e konfliktit të interesit.

DSIK
Drejtoria e Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar, Shërbimi Informativ Shtetëror (SHISH) dhe Shërbimi i Kontrollit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave (SHKÇBA) pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, krijojnë një grup pune për kontrollin e figurës së prokurorëve dhe gjyqtarëve.

Brenda 60 ditëve nga konstituimi i grupit të punës, ku i fundit verifikon nëse informacioni është i saktë dhe nëse subjekti i rivlerësimit ka kontakte të papërshtatshme me personat e përfshirë në krimin e organizuar ose me persona të dyshuar të krimit të organizuar. Brenda 10 ditëve nga përfundimi i kontrollit, Drejtoria e Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar, pas përgatitjes nga grupi i punës të dokumentit/raportit, ia paraqet atë Komisionit.

Ky dokument/raport përcakton nëse subjekti i rivlerësimit ka plotësuar formularin e deklarimit për kontrollin e figurës, në mënyrë të saktë dhe me vërtetësi; nëse ka informacion në deklarimin e tij ose gjetkë që tregon se subjekti i rivlerësimit ka kontakte të papërshtatshme me personat e përfshirë në krimin e organizuar, si dhe konstatimin në lidhje me përshtatshmërinë e tij për vazhdimin ose jo të detyrës.
 
Tre vendimet e komisionit të Vetingut 
1. Konfirmimi në detyrë
Konfirmimi në detyrë i jepet subjektit të rivlerësimit në rast se plotësohen së bashku
kushtet e mëposhtme:
a) kur arrin nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë;
b) kur arrin nivel të besueshëm në kontrollin e figurës;
c) kur arrin një nivel minimal kualifikues në vlerësimin e aftësive profesionale.
 
2. Pezullimi nga detyra
Pezullimi nga detyra dhe detyrimi për të ndjekur programin e trajnimit
1. Pezullimi nga detyra dhe detyrimi për të ndjekur programin e trajnimit për një periudhe
1-vjeçare i jepet subjektit të rivlerësimit nëse janë evidentuar mangësi në aftësitë e tij profesionale që mund të plotësohen.
2. Në rast se subjekti i rivlerësimit përfundon programin e trajnimit, Shkolla e
Magjistraturës i paraqet Sekretarit të Përgjithshëm të Komisionit dhe vëzhguesve ndërkombëtarë rezultatet e provimit përfundimtar, duke u shprehur nëse mangësitë janë
mënjanuar ose jo.
3. Komisioni njofton subjektin e rivlerësimit brenda 10 ditëve të paraqesë një shpjegim
me shkrim mbi arsyet e mospërfundimit me rezultate të kënaqshme të programit të trajnimit gjatë periudhës së pezullimit. Një kopje e këtij njoftimi i dërgohet vëzhguesit ndërkombëtar.
 
3. Shkarkimi nga detyra
Shkarkimi nga detyra i subjektit të rivlerësimit jepet si masë disiplinore në këto raste:
1. Kur rezulton se ka deklaruar më shumë se dyfishi i pasurisë së ligjshme gjatë vlerësimit të pasurisë, përfshirë edhe personat e lidhur me të.
2. Kur rezulton me probleme serioze gjatë kontrollit të figurës, sepse ka kontakte të papërshtatshme me personat e përfshirë në krimin e organizuar që bën të pamundur
vazhdimin e detyrës.
3. Kur rezulton se ka bërë deklarim të pamjaftueshëm për kriterin e kontrollit të figurës
dhe pasurisë, sipas parashikimeve të neneve 39 dhe 33 të këtij ligji.
4. Kur rezulton si i papërshtatshëm nga vlerësimi i aftësive profesionale.
5. Në rast se nga vlerësimi tërësor, në kuptim të nenit 4, pika 2, të këtij ligji, rezulton se subjekti i rivlerësimit ka cenuar besimin e publikut te sistemi i drejtësisë dhe ndodhet në
kushtet e pamundësisë për plotësimin e mangësive nëpërmjet programit të trajnimit.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com