BERAT- Në limitet e skadimit të mandateve për shkak të mungesës në parlament të deputetëve, nga Berati, kreu i PD Lulzim Basha, deklaron se opozita nuk do të rikthehet në Kuvend, që sipas Bashës, ka bërë kompromis me krimin. 

Basha ka paralajmëruar se ky është shansi i fundit i pastrimit të politikës nga krimi. PD do të vijë në pushtet me votë u shpreh Basha, por në rast të moskrijimit të shtetit ligjor, popullit i lind e drejta që të marrë fatet e vendit në dorë. 

 “Nuk ka për të patur asnjë lloj kompromisi pa pastruar politikën nga krimi. Kompromis me krimin nuk mund të bëjmë, ndaj u bëjmë thirrje të gjithëve, edhe atyre që bëjnë sikur nuk dëgjojnë se : kthimnë parlamentin e lidhur me krimin nuk ka e nuk do të ketë. Zgjidhja politike është aty. Ne nuk kërkojmë asgjë më shumë se standardi që miratuan për prokurorët dhe gjyqtarët. I njëjti standard që Venezia rekomandoi për këta, i njëjti standard që bëri ligj për polciët dhe gardistët, i njëjti standard duhet të vleje për politikën. Kjo është vijë e kuqe për opozitën. Trajtim preferencial për politikanët nuk ka për të patur.”-tha Basha. 

Bojkoti parlamentar nga opozita ka nisur në javën e tretë të korrikut. Pas pushimeve të dimrit, sesioni i radhës së kësaj legjislature fillon të hënën e tretë të janarit, në datën 21 janar 2019. Kjo është edhe data kur mbushen fiks gjashtë muaj bojkot dhe rrjedhimisht, ndodh edhe ndërprerja automatike e mandateve të deputetëve. Nëse opozita do të dojë të ruajë mandatët e saj, rasti i vetëm është momenti i diskutimit dhe miratimit të buxhetit. Por deklarata e sotme e kryedemokratit la të nënkuptohet se ata nuk do të kthehen në Kuvend pa u pranuar më parë nisma për Vetting në politikë.