Vettingu në fuqi, Kushtetuesja
rrëzon padinë e gjyqtarëve

Gjykata Kushtetuese i jep dritën jeshile Vettingut, ligjit që do të rivlerësojë pasurinë, figurën morale dhe atë profesionale të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ky proces tashmë ka nisur dhe pritet që brenda pak ditëve komisioni i pavarur i kualifikimit të nxjerr rezultatet e para.

Vendimi i Kushtetueses u dha këtë të hënën në të njëjtën ditë që nën kryesimin e ambasadorit Donald Lu dhe ambasadores Romana Vlahutin u inaugurua godina e njohur si shtëpia e Vettingut ish Lidhja e Shkrimtarëve pranë rrugës së Kavajës.

ReportTv ndoqi hap pas hapi seancë në kushtetuese për Vettingut ku sipas vendimit nga tre ligjet e paditura dy u lanë në fuqi ndërsa ndryshime do të bëhen vetëm tek këshilli i lartë gjyqësorë në një nen të tij.

Në fuqi mbetet ligji për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve njohur si Vettingu, Ligji për Statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve ndërsa ndryshime ka vetëm në ligjin për institucionet e reja të drejtësisë përkatësisht në nenin 76 pika dy e ligjit 115/2016 që lidhet për Këshillin e Lartë Gjyqësor për përjashtimin e anëtarit dhe kryetarit në këtë këshill.

Në këtë seancë morën pjesë gjyqtarët Bashkim Dedja kryetari i Kushtetuese si dhe anëtarët Vitore Tusha, Fatmir Hoxha, Gani Dizdari, Besnik Imeraj, Fatos Lulo ndërsa mungoi gjyqtarja Altina Xhoxhaj.


Njoftimi i Gjykatës Kushtetuese 
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë në datën 30.10.2017 mori në shqyrtim çështjen me palë:

Kërkues:  Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë, Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë.
 
Subjekt i interesuar: Kuvendi i Republikës së Shqipërisë 
 
Objekti:  1. Shfuqizimi si i papajtueshëm me Kushtetutën i nenit 7, pika 2, shkronjat “a” dhe “c”; nenit 59, pika 1, shprehja “zëvendëskryetari”; nenit 62, pika 8, shprehja “2 anëtarë jogjyqtarë dhe 1 anëtar gjyqtar” dhe pika 13, shprehja “2 anëtarë jogjyqtarë dhe 1 anëtar gjyqtar”; nenit 68, pika 6; nenit 76, pika 2; nenit 157, pika 1, shprehja “zëvendëskryetari”; nenit 160, pika 8, shprehja “2 anëtarë joprokurorë” dhe pika 13, shprehja “2 anëtarë joprokurorë dhe 1 anëtar prokuror”; nenit 166, pika 6; nenit 175, pika 2, të ligjit nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.

2. Shfuqizimi si i papajtueshëm me Kushtetutën i nenit 12, pika 2, shkronjat “b” dhe “c”; nenit 42, pika 3, shkronja “a”, “b”, “c”, “ç”, dhe pikat 8 e 9 të tij; nenit 43; nenit 47, pika 2, shkronja “a”, shprehja “...nga të cilat të paktën pesë vjet si gjyqtar në fushën e drejtësisë kriminale...” dhe shkronja “b”, shprehja “...nga të cilat të paktën pesë vjet si gjyqtar për çështjet penale...”, pika 4, shprehja “...nga të cilat të paktën pesë vjet në fushën e së drejtës përkatëse të përshtatshme për pozicionin e lirë...”, dhe pika 5, shprehja “nga të cilat të paktën pesë vjet në fushën e së drejtës përkatëse të përshtatshme për pozicionin e lirë”; nenit 53, pikat 11 dhe 12, të ligjit nr.96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

3. Shfuqizimi si i papajtueshëm me Kushtetutën i nenit 4, pika 2, shprehja “ose në vlerësimin tërësor të procedurave”; nenit 36, pika 3, shprehja “ose për personat e dyshuar si të përfshirë në krimin e organizuar për qëllim të këtij ligji”; nenit 37, shkronjat “b”, “c” dhe “ç”; nenit 38, pika 1, shprehja “në informacione konfidenciale, si dhe informacione të tjera të disponueshme”, pika 4, shkronja “b”, shprehja “ose personi i lidhur me të”, shkronja “c”, shprehja “ose një person i lidhur me të” dhe shkronja “d”, fjalia e dytë me përmbajtje “Anëtarësia e dyshuar e personit në krimin e organizuar duhet të jetë e njohur, e publikuar ose të jetë një çështje e dokumentuar në regjistrat përkatës”; nenit 39, pika 1, shprehja “ose me persona të dyshuar të krimit të organizuar”; neni 49, pika 1, shkronja “ç” dhe pika 2; nenit 54; nenit 56, pika 1, shprehja “jo më vonë se 3 muaj nga hyrja në fuqi e këtij ligji”; nenit 61, pika 5, të ligjit nr.84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
 
Pasi shqyrtoi dhe analizoi pretendimet e paraqitura nga kërkuesit, si dhe parashtrimet e subjektit të interesuar, në mbështetje të neneve 131/1/a dhe 134/1/h të Kushtetutës, si dhe të neneve 49, 51, 51/a, 72 e vijues të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar,
 
V E N D O S I:

- Pranimin pjesërisht të kërkesës.
- Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të nenit 76, pika 2, të ligjit nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.
- Rrëzimin e kërkesës për pretendimet e tjera për shfuqizimin e dispozitave të ligjeve nr.84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” dhe nr.96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

Ngecën në rrugën e vjetër Korçë - Ersekë, policia u shkon në ndihmë 13 qytetarëve

Ngecën në rrugën e vjetër Korçë - Ersekë, policia u shkon në ndihmë 13 qytetarëve