Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Rrugore Mitat Tola, në një deklaratë për mediat sot, u shpreh se policia po merr masa për ndërgjegjësimin dhe ndëshkimin e shkelësve, në kuadër të asaj që do të quhet “java e sigurisë rrugore”.

Mirëpo një e papritur ndodhi në transmetimin direkt që gazetari i Tv Report Arsen Rusta po përcillte.

Pranë radarëve të vendosura nga policia rrugore për të evidentuar shkelësit, shoferët që tejkalojnë shpejtësinë në zonën e Unazës së Re, në afërsi të Saukut, u ndalua një automjet që ishte 20 km/h mbi limitin e shpejtësisë së lejuar.

Vetura në fjalë me targa “MB 069 AA” rezultoi se ishte e Ministrisë së Brendshme, por ajo u lejua që të vazhdonte rrugën pas ndalimit.

Gazetari Rusta iu drejtua mnenjëherë drejtorit Tola për t’i kërkuar shpjegime për këtë tolerim.

Tola u shpreh se mjetet e policisë e kanë të lejuar tejkalimin e shpejtësisë në kuadër të kryerjes së detyrave të tyre.

Por drejtuesi i policisë rrugore garantoi se gjithsesi ky rast do të verifikohet për të parë nëse ka patur apo jo ndonjë shkelje të mundshme.

s.k/Shqiptarja.com