Numri i pushuesve ka rënë ndjeshëm në bregdetin e Vlorës.

Plazhi pranë Lungomares ka qenë ndër më të frekuenturit nga vendasit, por ndryshe nga vitet e tjera, konstatohet se pushuesit janë rralluar.

Shkak janë çmimet e larta, sidomos për hotelerinë.

‘I kanë ngritur shumë çmimet. Hoteli nuk ka ndonjë shpenzim kushedi. Unë paguaj 50 euro vetëm fjetje. Isha në Ksamil më herët. Një shezlong kushton nga 10 deri në 20 mijë lekë të vjetra”, tha një pushues.’- tha një pushues.

‘Vlora keq është. Donim të shkonim në Dhërmi, por ishte skandal’, tregoi një tjetër.

Panoramë është më e zymtë në Radhimë.

Pronarët e restoranteve dhe hoteleve tregojnë se numri i pushuesve ka rënë me 30 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Dhomat në hotele variojnë nga 45-65 euro, që sipas tyre është në raport të drejtë me rritjen e kostove.

‘Situata nga vjet në sivjet ka një rënie të vogël. Një çadër me 2 shezlongë nuk ka ndryshuar nga vjet në asnjë lek. Fillon nga 5 mijë lekë të vjetra deri në 8 mijë lekë. Këtë muaj varjojnë për familje nga 65 euro, përfshi mëngjes dhe dy çadra’, tregoi një pronar.

‘Nuk është si dikur që rrinin një javë apo dhjetë ditë. Kemi çmime konstante. Variojnë nga 45 euro në 60 euro dhomat e mëdha’, tregoi një tjetër.

Operatorët turistikë në Vlorë mungesën e pushuesve e lidhin më së shumti me mungesën e unifikimit të çmimeve dhe shërbimeve si dhe rënien e fuqisë blerëse të familjeve shqiptare.