BERLIN, 3 dhjetor /ATSH-DPA/ - Niveli i korrupsionit ka njohur rritje në ekonomitë me performancat më të mira në botë, pasi kjo rritje ekonomike shoqërohet me inkurajimin e abuzimit me pushtetin, njoftoi sot në raportin e saj vjetor organizata e njohur për matjen e përmasave të korrupsionit "Transparency International".
"Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2014 tregon se ekonomitë në rritje janë të rrezikuara seriozisht dhe përpjekjet për frenimin e korrupsionit dështojnë kur liderët apo zyrtarë të nivelit të lartë abuzojnë me pushtetin duke përfituar fonde publike për përfitim personal", deklaroi shefi i TI-së, Jose Ugaz.
Kina, Turqia dhe Angola janë mes vendeve më të korruptuara, edhe pse gjatë katër viteve të fundit kanë regjistruar rritje të kënaqshme ekonomike.
Ndërkohë, Danimarka ndodhet në krye të listës me 92 pikë nga 100 të mundshme, çka nënkupton se sektori i saj publik konsiderohet "shumë i pastër".
Koreja e Veriut dhe Somalia ndajnë dy vendet e fundit me nga tetë pikë.
"Vendet në fund të renditjes kanë nevojë të miratojnë masa radikale antikorruptive në favor të popujve të tyre", theksoi Ugaz.
"Ndërkohë, vendet në krye të listët duhet të sigurojnë të tjerët se nuk eksportojnë praktika korruptive në vendet e pazhvilluara", shtoi ai.
Kina, ekonomia e dytë në botë, ka 36 pikë, katër më pak se viti i kaluar, pavarësisht përpjekjeve të autoriteteve për luftën kundër korrupsionit.
Edhe Turqia ka rënë pesë pikë.
Bregu i Fildishtë, Egjipti, Jordania, Mali dhe Svazilandi janë mes "fituesve të mëdhenj" të indeksit të vitit 2014.
Lajme të mira ka për Portugalinë, Spanjën dhe Italinë, pa përjashtuar Greqinë që ka një kapërcim nga vendi i 89-të vitin e kaluar në të 69-in këtë vit.
Gjermania ndodhet në vendin e 12-të dhe SHBA-ja në vendin e 17-të./ a.jor.











