Qentë pitbull, por jo vetëm, vijojnë të përbëjnë një shqetësim sigurie për qytetarët e Tiranës.

Report TV përmes një vëzhgimi konstatoi se kjo situatë nuk po merr një zgjidhje reale për të evituar incidentet, të cilat nuk kanë qenë të pakta. 

Mjekët veterinerë bëjnë fajtor për situatën ata të cilët mbajnë qentë pitbull.

Ngjarja e rëndë e 3 ditëve më parë ku një vajzë shqiptare 13 muajshe u masakrua në Itali nga 2 qen të rracës pitbull, na ktheu në vëmendje një rrezik të vazhdueshëm të rrugëve të Tiranës.

E lidhur me kulturën e mbajtjes së kafshëve apo me mosrespektimin e rregullave, ajo që vihet re është levizja pa masa sigurie e kafshëve të klasifikuara të rrezikshme. Sipas qytetarëve kjo situatë nuk po merr zgjidhje reale.
 
“Nuk ndihem i sigurt por nuk kam se cfarë të bëj, vij me fëmijët” shprehet një qytetar
 
Kam shumë frikë nga kafshët  sidomos pasi pamë edhe informacionin për atë fëmijën në Itali që e hëngri qeni” rrëfen një zonjë.
 
“Kur ka kafshë të ndryshme sidmos qenë kalimi është i pasigurt, kafsha kafshë mebtet në cdo moment mund të egërsohet e mund të kafshojë” thotë një kalimtar.

 Mjeku veteriner Marvin Brahja, u shpreh për Report Tv se problemi qëndron tek trajtimi që ju bëhet këtyre kafshëve.
 
"E gjitha varet nga pronari sesi ai merret me trajnimin dhe shkollimin e qentit të vet. Të paktën në parkun e liqenit duhet të jenë të  pajisur me maska sepse nëse qeni im është i mirëtrajnuar por një qen tjetër do vij ta provokjë prandaj ai duhet të jetë i pajisur me masa mbrojtëse”shprehet veterineri.
 
Për pronarët që nuk i pajisin qentë e klasifikuar të rrezikshëm me maskat mbrojtëse, qaforen dhe rripin aplikohen sanksione në gjoba që vijojnë nga 50 deri 200 mijë lekë të vjetra, si dhe penalitete deri në 10 vite burg.