“Kam 3 orë që pres me fëmijë me temperature të lartë. Po lë djalin me fëmijën këtu, vetë nuk qëndroj dot.” Është ora 21:00 e mbrëmjes. Ky i moshuar është i shqetësuar për nipin e tij. Pavarësisht moshës, ka zgjedhur të shoqërojë në dyert e spitalit djalin e tij që në krah i mban nipin e vogël me temperaturë të lartë.

Si ata, në urgjencën pediatrike të Qendrës Spitalore Universitare në Tiranë, ndodhen në radhë shumë prindër të tjerë.

Kjo është një situatë e përditshme në urgjencën pediatrike të QSUT-së. Uja e temperaturave, qarkullimi i virozave të stinës dhe përhapja e shpejtë e Covid-19 ka shtuar numrin e fëmijëve që  paraqiten për të marrë shërbim mjekësor.

Temperaturë, kollë, diare dhe dhimbje barku, janë simptomat që prindërit nuk i kanë neglizhuar. Me frikën se situata mund të bëhet më e rëndë dhe me dyshimet e infektimit nga Covid apo varianti Omicron, dyndja në urgjencën pediatrike është mëse e dukshme.

Nata e bën edhe më të vështirë sëmundjen dhe frikën e prindërve që nuk ngurrojnë t’i drejtohen urgjencës, por në vëzhgimin tonë në mbrëmje, shërbimi ofrohet vetëm nga 2 mjekë. Fëmijët e sëmurë në krahët e prindërve apo gjyshërve, duhet të presin gjatë për të bërë konsultat me bluzat e bardha dhe për të marrë recetat e mjekimit.

Për të përballur fluksin gjatë periudhës së dimrit, edhe qendra shëndetësore të tjera në Tiranë ofrojnë shërbimin 24 orë, qendra numër 6 në Kombinat, shtata në Laprakë, teta tek Sheshi Uilson dhe qendra shëndetësore numër 10 në zonën e Oxhakut.