Të nxitosh për të shpëtuar jetën e pacientit, për ambulancat në Tiranë nuk është sfidë vetëm në rrugët thuajse të bllokuara nga trafiku i kryeqytetit.

“Lufta” me shoferët, për të gjetur një rrugë kalimi, zhvillohet edhe më e ashpër, brenda në spital. Kjo është një situate e përditshme me të cilat përballen auto-ambulancat brenda Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza. Sirenat bien duke paralajmëruar urgjencën për të çuar pacientin në repartin përkatës brenda QSUT-së, por rruga nuk hapet.

Më të njëjtën vështirësi, ambulancat përballën edhe për të dalë nga QSUT, drejt qytetarëve që kanë nevoja mjekësore.

Por përse kjo situatë kaotike brenda QSUT-së?

Për të hyrë me automjet në QSUT, të parët të presin 2 trare. Njëri i vendosur në krah të urgjencës së re që ka dhe fluksin më të madh të hyrje-daljeve, dhe trau i dytë, në anën tjetër të QSUT-së, te Pediatria.

Kushdo që hyn me automjet, paguan 200 lekë nëse qëndron nga 5 minuta deri në 2 orë. Për çdo orë shtesë, pagesa shtrenjtohet nga 100 lekë. Një tabelë e vendosur në kabinën e traut të parkimit, të njofton gjithashtu, se për të gjithë ditën, kostoja është 1000 lekë. Parkimi brenda QSUT-së menaxhohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit

Deri këtu, gjithçka duket normale. Por ajo që kjo kabinë nuk njofton, është se sa vende parkimi bosh ka brenda spitalit. Trau kryesor hapet për të gjithë automjetet, dhe beteja e vërtetë fillon për të gjetur një vend parkimi.

Shoferët qarkullojnë për minuta të tëra në kërkim të një hapësire të lirë.

Të tjerë rrinë brenda makinës së ndezur, për të kaluar direkt në sulm, sapo të shohin një vend parkimi që lirohet.

“Problem është, njerëzit i kemi të sëmurë, parkim nuk gjejmë”, shprehet një qytetar.

Të tjerë, gjejnë zgjidhjen më të lehtë. Parkojnë duke bllokuar automjetet e tjera, apo edhe kalimet emergjentë. “Katastrofë duket. Tmerr”, shprehen të tjerë qytetarë.

Situata përkeqësohet edhe më shumë në ditët me shi. Edhe nëse kë arritur të dalësh triumfator duke gjetur një vend parkimi, mund të ndodhë që sapo të zbresësh nga makina, këmbë të bjerë në pellgje balte, si ky territor i ashtuquajtur parkim, pranë spitalit Onkologjik

“Problem është. Zakonisht kur ka konsulta te onkologjiku kështu bëhet”, thotë një qytetar me automjet brenda QSUT-së.

Thuajse në të gjithë QSUT-në, ka tabela që ndalojnë parkimin, pranë godinave spitalore, sidomos atyre që kanë edhe urgjenca. Por as në këtë rast, nuk respektohet sinjalistika

Në traun kryesor të parkimit, shkruhet në tabelë edhe këshillimi për të reduktuar lëvizjen e panevojshme në hapësirat e QSUT, por burime nga brenda spitalit, thonë se shpesh, ka edhe shoferë të papërgjegjshëm, që futen në QSUT për të dalë mes përmes nga trau tjetër, dhe për të arritur më shkurt, spitalin e neurologjia, që ndodhet jashtë qendrës

Brenda spitalit ka disa punonjësit nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit që përpiqen të vendosin rregull mes fishkëllimave të bilbilave. Por fluksi i lartë i automjeteve dhe parkimet dyshe e bëjnë thuajse të pamundur qarkullimin normal. 

Sipas shifrave zyrtare nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, janë afro 4000 makina që hyjnë e dalin në ditë nga QSUT dhe afro 120 mijë makina që qarkullojnë brenda muajit.

Situata pritet të gjejë zgjidhje, nga një godinë e financuar nga buxheti i shtetit me 5 kate mbi tokë, dhe një nëntokë, që po ndërtohet brenda QSUT-së prej janarit të vitit të kalua. Në të pritet të ketë rreth 1.400 vende parkimi.