Ekipi i ekspertëve të OSBE-ODHIR u takua paradite me një përfaqësi të FRD-së, kryesuar nga nënkryetari i saj, Aleksandër Biberaj. Ata ngritën një sërë pyetjesh dhe dialoguan hapur lidhur me çështjet më të nxehta që shqetësojnë partitë potitike. Biberaj bëri një prezantim të misionit politik të FRD-së, thanë burimet nga kjo parti, si dhe shprehu mendimin se problematikat që po shoqërojnë procesin parazgjedhor janë tepër të mprehta dhe nuk premtojnë një klimë të qetë, garë të barabartë elektorale dhe zgjedhje sipas standarteve.
Biberaj theksoi se pjesëmarrja e detyruar e administratës publike dhe nxënësve të shkollave në aktivitetet parazgjedhore të Partisë Demokratike që organizohen nga Kryeministri i Shqipërisë z. Berisha, vënia në përdorim e fondeve publike për këto veprimtari, keqpërdorimi i dhënies së shtetësisë shqiptare dhe propozimi për uljen e moshës për votim janë shkelje flagrante të Kushtetutës dhe ligjit me pasoja të rënda për klimën parazgjedhore në vend. Kjo klime vazhdoi z. Biberaj bëhet akoma edhe më e rëndë kur refreni i opinionit publik të përditshëm shoqërohet me pyetjen "Kush do të ruajë votat" dhe kur vëren se përmbajtja e Kodit Zgjedhor privilegjon në mënyrë të padrejtë dy partitë e vjetra PD dhe PS, të cilave ju lejohet të kenë një dominim të padiskutueshëm në çdo aspekt të procesit zgjedhor.
Problematikat të tjera që u prezantuan nga ana e përfaqësuesve të FRD-së ishin edhe mungesa e transparencës së listave zgjedhore paraprake, shifrat kontradiktore që deklarohen nga ana e Ministrisë së Brendshme për numrin e votuesve, shkeljen e afateve ligjore të organeve vendore mbi njoftimin e shtetasve për votimin e ardhshëm dhe rifreskimin periodik të listave të votuesve.
Takimi i fundit që ky ekip zhvilloi në Tiranë ishte me përfaqësuesit e nivelit të dytë të ambasadave të akredituara në Tiranë, takim me dyer të mbyllura, në ambientet e hotel "Sheraton"-it dhe që zgjati rreth një orë e gjysëm.
Gazetarja Joniada Koçi e televizionit "A1 Report!" informon se vëzhguesit kanë kërkuar të dinë të gjitha faktet dhe nevojat që ka Shqipëria në këtë situatë parazgjedhore. Gjatë qëndrimit 3 ditor në Tiranë ekipi vëzhgues zhvilloi takime me zyrtarë të lartë të shtetit, përfaqësues të partive politike por dhe të shoqërisë civile. Në fillim të vizitës grupi i vëzhguesve deklaroi se të gjithë faktet do ti përmblidhte në një raport i cili do të publikohet në faqen zyrtare të OSBE/ODIHR.
Gjatë takimeve, vëzhguesit kanë marrë angazhimin e qeverisë për të zhvilluar një proces të ndershëm zgjedhor. Ndërkohë që nga PS kanë marrë raportin prej 10 faqesh që nënkryetari i KQZ, Denar Biba i dorëzoi dje misionit të ODIHR. Ky raport përmban problematikat kryesore që janë hasur në këtë institucion, duke u fokusuar më tepër te çështjet për të cilat sipas tij tij, KQZ ka shkelur dhe deleguar kompetencat.
(sg/ar.sh/shqiptarja.com)