Real Madrid ia ka dalë pas 120 minutave të kalojë 5-2 Celta Vigon dhe të kualifikohet në çerekfinalet e Kupës së Mbretit në Spanjë. Në "Santiago Bernabeu" vendasit e Ancelottit nuk e kanë pasur të lehtë, duke mbyllur kohën e rregullt në barazimin 2-2.
Pjesa e parë u mbyll me epërsinë minimale të vendasve, aty ku Mbappe shënoi në minutën e 37-të për të kaluar në avantazh "Galaktikët". Me fillimin e pjesës së dytë ishte Vinicius Junior që dyfishoi për Realin, ndërsa kur u duk se kontrolli do ishte në dorën e tyre, Celta barazoi me Bamba dhe Alonso në dhjetë minutat e fundit të ndeshjes.
Me duelin që shkoi në shtesën prej 30 minutash, madrilenët treguan se jo më kot janë ndër skuadrat më të mira në botë dhe shënuan me dopietën e Endrick si edhe Valverde për të kaluar në çerekfinale.
Skuadrat e kualifikuara në këtë fazë të Kupës së Spanjës janë: Osasuna, Real Sociedad, Barcelona, Real Madrid, Atletico Madrid, Leganes, Valencia dhe Getafe.