Manchester City nuk di të fitojë. Për raundin e 18-të në Premier League skuadra e Pep Guardiolës barazoi 1-1 ndaj Everton. Për 'Boxing Day' Premier League nisi këtë të enjte me ndeshjet e radhës, aty ku Armando Broja mori 20 minuta në fundin e ndeshjes për miqtë. Duket se Haaland i bëri "një dhuratë" miqve duke humbur penalltinë.
Në "Etihad" ndeshja nisi mirë për vendasit që shënuan me Bernardo Silvën që pas 14 minutave lojë. Kur u duk se djemtë e Guardiolës do riktheheshin te suksesi, ishte Ndiaye që me një të jashtme të bukur barazoi pas 36 minutave lojë.
Në pjesën e dytë vendasit shpërdoruan penalltinë me Haaland në minutën e 53-të, me Pickford që ndali goditjen e norvegjezit. Në të 70 minutë kishte vend edhe për Brojën që vendosi në panik disa herë vendasit, por pa mundur të shënonte.
Në 13 ndeshjet e fundit Manchester City ka vetëm një fitore, tre barazime dhe nëntë humbje dhe me 28 pikë për momentin merr vendin e gjashtë. Ndërkohë Everton me 17 pikë ndodhet në pozitën e 15-të.