GJIROKASTER-Fshati Zhulat vijon që të jetë i bllokuar prej disa javësh pas shembjes së rrugës nga shirat dhe përmbytjet. Banorët kërkojnë ndihmë përmes Report Tv, ndërsa shprehen se rruga është shembur që në fillim të dhjetorit.

Jemi të bllokuar, nuk kemi mundësi për të lëvizur. Jemi si në ishull, kërkojmë ndihmë pasi Viti i Ri po na gjen të bllokuar. Kemi mbetur pa ushqime dhe ilaçe, kemi njerëz të moshuar të sëmurë që kërkojnë ndihmë” shprehen ata.

 

Një banor i zonës, ka përfituar nga rasti kur rruga është shembur nga vërshimi i lumit të fshatit duke vënë në përdorim kafshën e tij, për të nxjerrë fitimet përmes transportit vajtje-ardhje.“Biznesmeni” kryen shërbimin e transportit përmes kalit kundrejt një shume prej 50 lekësh për person vetëm për të kaluar lumin dhe në një ngarkesë merr 100 lekë. Në dy ditë, banori i zonës, ka fituar gati 3000 lekë të rinj aq sa nuk do të fitonte në dy tetë orarësh në punë shtetërore apo private.

Ai uron që rruga kurrë mos të rregullohet sepse kësisoj, biznesi i tij do të hidhet në erë. Dhjetëra fshatarë të Zhulatit, janë “falur” tek shërbimi i pronarit të kalit i cili është i papërtuar dhe në cdo rrugë fiton minimalisht 100 lekë. Në fund pas cdo rruge, ai i uron fshatarët “Ardhshi dhe vafshi me kalin tim”. 

dy.b/shqiptarja.com