Senegali fitoi 1-0 kundër Marokut në Rabat dhe për herë të dytë në histori fitoi trofeun e Kupës së Kombeve të Afrikës. Sfida u komentua edhe nga kreu i FIFA-s, Gianni Infantino, i cili ndodhej në stadium dhe pa nga pranë ngjarjet që shënuan fundin e duelit.
Në minutën e 90+8 (brenda kohës së rregullt), Maroku fitoi një penallti pas ndërhyrjes së VAR, me drejtuesit e Senegalit që tërhoqën ekipin për dhjetë minuta në dhomat e zhveshjes, dukshëm në shenjë revolte dhe proteste. Nga ana tjetër, tifozët e Senegalit u përplasën me sigurinë për shkak të pretendimeve për pasaktësinë e 11 metërshit.
Me kthimin në fushë, Brahim Diaz, i cili u shpall edhe "Këpuca e Artë" e turneut me pesë gola të shënuar, dështoi të realizonte 11 metërshin i cili u ndal nga Mendy.
Pas kohës së rregullt që u mbyll 0-0, ishte Senegali që fitoi 1-0 në shtesë me golin e Pape Gueye.
Kreu i FIFA-s, Infantino doli kundër skenave të dhunës dhe braktisjes së ndeshjes nga Senegali, ndërsa pritet një gjobë e majme për këtë vendim.
“Për fat të keq, kemi parë skena të papranueshme në fushë dhe në shkallët e stadiumit. Dënojmë sjelljen e disa ‘tifozëve’, si dhe të disa lojtarëve senegalezë, apo pjesëtarëve të stafit teknik. Është e papranueshme të braktisësh fushën e lojës në atë mënyrë, ndërsa dhuna nuk mund të tolerohet në sportin tonë. Thjesht, nuk është e drejtë", tha fillimisht Infantino.
Më pas kreu i FIFA-s foli për respektin që duhet të tregohet për vendimin e arbitrave.
"Duhet gjithmonë të respektojmë vendimet e marra nga arbitrat në fushë dhe jashtë saj. Skuadrat duhet të përballen në fushë, duke respektuar rregullat e lojës, sepse çdo sjellje e kundërt vë në rrezik esencën e futbollit", tha ai më tej.
Infantino tha se skuadrat dhe futbollistët duhet të japin një shembull për tifozët.
"Është përgjegjësi edhe e skuadrave dhe lojtarëve të japin një shembull të mirë për tifozët në stadium dhe miliona spektatorë në gjithë botën. Skenat e shëmtuara që pamë duhet të dënohen dhe nuk duhet të përsëriten më. Nuk kanë vend në futboll", mbylli Infantino fjalën e tij.
?? DES BAGARRES AU BORD DU TERRAIN, DES BAGARRES EN TRIBUNE PRESSE, DES ÉCHAUFFOURÉES ENTRE JOUEURS ??
— BeFootball (@_BeFootball) January 18, 2026
MAIS ?!?!?!?!?! pic.twitter.com/8vJDFOKONy
Komente





