Tregjet evropiane të aksioneve ranë të hënën dhe çmimet e arit dhe argjendit arritën nivele rekord pasi Donald Trump kërcënoi të vendoste tarifa doganore shtesë për tetë vende evropiane.
Trump deklaroi se nga 1 shkurti, Danimarka, Norvegjia, Suedia, Franca, Gjermania, Britania e Madhe, Holanda dhe Finlanda, vende që kanë dërguar trupa në ishull, do të përballen me tarifa doganore prej 10%.
Sipas 'The Guardian', në Evropë, tani po shqyrtohet mundësia e pezullimit të marrëveshjes së vitit të kaluar me Uashingtonin, e cila ende duhet ratifikuar nga Parlamenti Europian. Një luftë e mundshme tregtare me SHBA-në ka shtuar nervozizmin në tregje. Presidenti francez Emmanuel Macron ka deklaruar se kërcënimet e Trump janë “të papranueshme” dhe po punon për të koordinuar një përgjigje europiane përmes Instrumentit të Bashkimit Evropian kundër presioneve.
Tensionet vijnë ndërkohë që në Davos çelet Forumi Ekonomik Botëror, duke shtuar pasiguri në tregje. Bursa e Parisit u hap me -1,5%, Frankfurti me -1,4%, Madridi me -0,9%, dhe Londra me -0,6%. Sektorët më të goditur janë ai i automobilëve, mallrave të luksit dhe teknologjisë.
Ekspertët tregojnë se investitorët po orientohen drejt aseteve të sigurta, si metalet e çmuara, ku ari dhe argjendi kanë arritur nivele rekord pas një hovi të fortë javën e kaluar.
Komente







