Në momentin kur ka hyrë në ambientet e Hipotekës, fillimisht ka neutralizuar rojen e institucionit, ndërsa më pas i është drejtuar sportelit të bankës private ku u ka drejtuar armën arkëtareve. Punonjësja e bankës, në kushte terrori, pasi është kanosur nga autori i cili i ka thënë "më jep lekët ose të vras" dhe në një moment me qytën e armës ka qëlluar xhamin e bankës i cili ka pësuar plasaritje, ka hapur kasafortën dhe kanë nxjerrë prej aty rreth 300 mijë lekë të reja duke ia dhënë autorit.
Fillimisht qytetarët që ndodheshin në bankë nuk e kanë kuptuar se cfarë po ndodhte, ndërsa më pas janë larguar me shpejtësi. Pas marrjes së parave, grabitësi me qesen në dorë, është larguar përmes një blloku pallatesh ku edhe është fiksuar nga disa kamera sigurie.Përpos videos brenda ambienteve, REPORT TV siguroi edhe pamjet e momentit kur autori u largua nga ambientet e Hipotekës. Në lagjen "Don Bosko", grabitësi është ndeshur me një punonjës policie të cilit i ka drejtuar pistoletën dhe i ka kërkuar të mos e ndjekë pasi përndryshe do ta qëllonte.
Policia e Tiranës vijon punën për identifikimin e autorit të kësaj ngjarje i cili terrorizoi në mes të ditës Tiranën duke grabitur bankën në ambientet e një institucioni publik krejtësisht i pashqetësuar. Policia është vendosur prej ditës së djeshme në kërkim të tij, por ende nuk është arrestuar.
d.b/shqiptarja.com

VIDEO










