VIDEO/ Dua Lipa përmend Ismail Kadarenë gjatë fjalimit në 'Booker Prize' në Londër: Më lidhi me identitetin shqiptar

Këngëtarja shqiptare Dua Lipa ka qenë së fundmi e ftuar në ceremoninë e çmimeve “Booker” në të cilën nuk ka nguruar as kësaj radhe të tregojë rrënjët e saj shqiptare.

Ylli me famë botërore theksoi se leximi e ka ndihmuar atë që të kalonte kohët e vështira, e ndërsa përmend edhe leximin e librit “Keshtjella” të Ismail Kadaresë, ku thotë se me të testoi aftësitë e saj gjuhësore.

Përmes Kadaresë Dua lipa ka rrëfyer se ka mësuar për frymën e rezistencës shqiptare, teksa ka pasur vlerësimet më të larta për shkrimtarin, i propozuar për çmimin Nobel në Letërsi.

“Madhëria juaj, zonja dhe zotërinj,

Së pari, një falënderim nga zemra për Fondacionin e Çmimit Booker që më ftoi këtu sonte. Është një nder i madh të jesh në mesin e disa prej mendjeve letrare më të mëdha të botës për të folur për një nga gëzimet më të thella në botë, kënaqësinë e thjeshtë të leximit të një libri.

Leximi është një pasion që ka marrë shumë forma për mua. Ashtu si shumë fëmijë të tjerë të shkollës në Londër, obsesionet e mia të hershme përfshinin Roald Dahl dhe Malorie Blackman, të cilët të dy më dhanë perla të vogla urtësie që më udhëheqin ende sot.

Kur isha 11 vjeç, familja ime vendosi të kthehej në Kosovë. Leximi i librave si “Keshtjella” e Ismail Kadaresë, testoi aftësitë e mia gjuhësore, ndërkohë që më ndihmoi të lidhem me trashëgiminë dhe identitetin e familjes sime si shqiptarë të Kosovës.

Përmes Kadaresë mësova për frymën e rezistencës shqiptare, po atë vendosmëri kokëfortë që i mban kosovarët të luftojnë sot për njohjen ndërkombëtare të pavarësisë sonë. Shpesh pyes veten nëse autorët e kuptojnë se sa dhurata na bëjnë.

Sot, angazhimet e turneut më çojnë në të gjithë globin dhe jeta është shpesh e tensionuar. Ndonjëherë, vetëm për të mbijetuar, më duhet të përshtas një qëndrim të ashpër. Dhe në këto momente, janë librat që më zbutin.

Në fillim të këtij viti krijova një podcast, të cilin e dua sepse më jep mundësinë të flas një për një me disa nga autorët e mi të preferuar. Ata janë mysafirë të jashtëzakonshëm sepse janë shumë në harmoni me emocionet njerëzore – sinqerisht është më mirë se çdo seancë terapie në të cilën kam qenë ndonjëherë!

Të flasësh me Hanya Yanagihara për ‘Një jetë të vogël’ është një privilegj që ende më merr mendjen – isha aq e zhytur në atë histori, sa sinqerisht u ndjeva sikur jetoja në rrugën Lispenard. Ajo më tha se ende mendon për Judën çdo ditë të jetës së saj po ashtu!

Shkrimi i mirë ka fuqinë t’i bëjë njerëzit të ndihen të parë dhe të dëgjuar, të tregojnë histori që bota i ka injoruar. Ne të gjithë duam vetëm të duam dhe të na duan dhe të gjejmë vendin tonë në botë, dhe autorët me të vërtetë na ndihmojnë për ta bërë këtë.

Pra, secilit prej autorëve të përzgjedhur sonte, nëse libri juaj ishte diçka që ju e keni shkruar vetëm për veten tuaj, për të ndryshuar botën, apo thjesht sepse mendonit se duhej, faleminderit që na lejuat të hyjmë në botët që krijoni. Me të vërtetë do të thotë shumë për ne lexuesit”, është sh[rehur Dua Lipa.

B.K./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Atentati në Vlorë, 30 plumba drejt makinës së Kevin Hajrullës

Atentati në Vlorë, 30 plumba drejt makinës së Kevin Hajrullës