Ernest Muçi ka zhvilluar një tjetër paraqitje të jashtëzakonshme me fanellën e Trabzonsporit, duke qenë protagonist absolut në fitoren 3-0 kundër Fethiyesporit, në ndeshjen e vlefshme për Kupën e Turqisë.

Takimi, i zhvilluar të martën mbrëma dhe i vlefshëm për raundin e tretë të Grupit A, pa dominimin e plotë të Trabzonsporit, me sulmuesin e kombëtares shqiptare që la gjurmë me një gol dhe një asist.

Muçi zhbllokoi rezultatin në minutën e 69-të, duke shënuar golin e epërsisë dhe duke i dhënë avantazhin skuadrës në pjesën e dytë. Vetëm dhjetë minuta më vonë, ai u shfaq sërish vendimtar, këtë herë si asistues, duke kontribuar në golin e tretë të ndeshjes në minutën e 79-të.

Falë këtij suksesi, Trabzonspori ka grumbulluar gjashtë pikë pas tri ndeshjesh në Grupin A, grup ku bën pjesë edhe Galatasaray, një nga favoritët kryesorë për trofeun.

Forma e Muçit mbetet shumë pozitive edhe në kampionat, ku pas 17 javësh ka realizuar tetë gola dhe një asist. Në total këtë sezon Muçi ka shënuar 11 gola dhe ka dhënë katër asistime me fanellën e Trabzonsportit.