DURRËS- Mbi një vit pas sekuestrimit, 2800 ton mbetjet e rrezikshme të kompanisë Kurum që u kthyen nga Tajlanda ende mbahen në Porto Romano. Ndërsa Prokuroria e Durrësit lëshoi 33 udhërarreste për përgjegjësit, pasi hetimet zbuluan shkelje të legjislacionit mjedisor nga Kurum, kompania “Sokolaj” që bleu mbetjet, por edhe nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe Dogana e Durrësit, pikëpyetja mbetet se çfarë do të ndodhë me mbetjet e rrezikshme, të cilat u faktuan të tilla edhe nga analizat në Itali. Report Tv ishte edhe në vendin ku janë magazinuar mbetjet e Kurum, për të cilat ende nuk ka një zgjidhje përfundimtare për trajtimin ose asgjësimin e tyre.

Ndërkohë, nga 33 urdhërarrestet që u lëshuan nga Prokuroria e Durrësit, vetëm 20 prej tyre janë ekzekutuar. Operacioni i Policisë së Shtetit për ekzekutimin e masave të sigurisë, nga të cilat 26 arrest me burg dhe 6 arrest shtëpie, u shtri në 3 qytete Tiranë, Elbasan dhe Durrës.

Prokuroria e ka regjistruar procedimin penal për disa akuza, nga "Kondrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara” të pastrimi i “Pastrimi i produkteve të veprimtarisë kriminale” që rëndojnë kryesisht ndaj administratorëve të kompanive të përfshira në këtë rrjet, deri te “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore” apo “shpërdorimi i detyrës” për zyrtarët e Doganës dhe Agjencisë Kombëtare të Mjedisit.

7 masa sigurie u lëshuan për përfaqësues për kompanisë Kurum, ndërsa arrest me burg është caktuar për dy administratorët turk, Erdal Demir, turku i Kurum International dhe Yusus Sezai, administratori me prokurorë i kompanisë.

Burg edhe për pronaren e kompanisë “Sokolaj”, Gjovana Sokolaj, dhe ish administratoren Olizana Pemati. Kompania, më 1 gusht 2023, kishte blerë mbetjet nga Kurum për t’i eksportuar me përshkrimin “oksid hekuri”, eksporti i të cilës është i lejuar pasi nuk konsiderohet i rrezikshëm. Masa sigurie janë lëshuar edhe për zyrtarë të Doganës së Durrësit dhe Agjencisë Kombëtare të Mjedisit. 

Nga analizat e kryera në Itali, rezultoi se mbetjet i përkasin kategorisë së pluhurit të furrës elektrike dhe me përmbajtje të lartë metalesh të ndryshme, të klasifikuara si të rrezikshme nga legjislacioni shqiptar dhe ai ndërkombëtar. Elementët përbërës konsiderohen të dëmshme për shëndetin e njeriut dhe mjedisin. Referuar analizave, në dosjen hetimore përshkruhet rreziki i toksicitetit për riprodhimin dhe ekotoksicitet, veçanërisht ndaj ekosistemeve ujore.

lajmi në përditësim...