Dy gazetarë të rinj, praktikantë pranë Sky Sport Italia janë pushuar menjëherë nga puna, pasi gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë të ndeshjes Verona - Inter (1-2), nuk arritën të përmbaheshin dhe shpërthyen në festë pas golit të fitores së zikaltërve në minutën e 93-të.

Në një video që u bë virale në rrjetet sociale, dy të rinjtë shihen në prapaskenë, pas prezantuesit të lajmeve, duke kërcyer dhe përqafuar njëri-tjetrin në mënyrë euforike sapo topi përfundon në rrjetë. Vetëm pak sekonda më vonë, ata përpiqen të ulen e të fshihen nga kamera, por momenti tashmë ishte regjistruar dhe shpërndahej me shpejtësi në internet.

Sipas gazetarit të njohur italian Francesco Ordine, drejtori i përgjithshëm i Sky Sports Italia, Federico Ferri, ka ndërhyrë menjëherë dhe ka urdhëruar largimin e menjëhershëm të praktikantëve.

“Drejtori i Sky Sports, Federico Ferri, ndërhyri menjëherë, duke i dërguar praktikantët në shtëpi”, shkroi Ordine në rrjetet sociale.

Pak orë më vonë, portali italian 'Lettera43' publikoi edhe një letër të brendshme që Ferri dyshohet se ua ka dërguar të gjithë punonjësve të redaksisë. Në të, ai thekson se sjellja e tillë është “e papranueshme” dhe cënon seriozitetin e markës Sky Sport.

“Sot, redaksia jonë ishte protagoniste e një skene të padenjë për profesionin tonë. Kur njëri prej nesh turpërohet, turpërohemi të gjithë”, shkruhet në mesazhin e Ferrit.

Drejtori theksoi më tej se gazetarët nuk duhet të sillen si tifozë, por si profesionistë të paanshëm. Sky Italia ende nuk ka lëshuar një deklaratë zyrtare për rastin, por ngjarja ka shkaktuar debat të madh në Itali, ku shumë e shohin incidentin si shembull të qartë të përplasjes mes pasionit sportiv dhe etikës gazetareske.