Rey Manaj është 'ilaçi' i Sivasspor në Superligën turke të futbollit. Sulmuesi i Kombëtares ka shënuar dopietën e dytë këtë sezon dhe i ka dhënë tri pikë të tijve në transfertën e fituar 1-3 kundër Kayserispor, duel që vlente për javën e 19-të të kampionatit.
26-vjeçari lushnjar e nisi ndeshjen nga minuta e parë, duke qenë deçiziv në fundin e sfidës. Me shifrat e mbërthyera 1-1, miqtë fitojnë një penallti në fundin e sfidës, me Manajn që nuk gaboi nga pika e bardhë në të 90+3 minutë.
Rey nuk do ndalej me kaq, teksa në minutën e 90+6 u bë protagonist edhe i një kartoni të verdhë dhe pas dy minutash shënoi golin e qetësisë (90+8) për 1-3. Kjo është dopieta e dytë për Manaj këtë sezon, që shkon kështu në kuotën e tetë golave këtë edicion.
Me 24 pikë, Sivasspor ngjitet në vendin e 10-të, teksa Kayserispor me 29 pikë mban vendin e katërt.