VIDEO/ Gara e ashpër për titullin, Man.City dhe Arsenal s'falin! Leverkusen pa mëshirë ndaj Dusseldorf, Fiorentina mposht Atalantën në Kupë
Arsenal dhe Manchester City, pavarësisht se këta të fundit kishin një përballje të vështira, kanë koleksionuar nga një tjetër 3 pikësh në Premier League, që vlejnë për garën e ashpër të titullit.
Manchester City s’i ka diskutuar tre pikët në përballjen me Aston Villan edhe pse kjo e fundit këtë sezon ka surprizuar me ecurinë fantastike. ‘Qytetarët’ ia arritën të fitonin 4-1 në shtëpi falë një super performance të Phill Foden. Megjithatë fillimisht realizoi Rodri dhe më pas barazoi përkohësisht Duran.
Brenda pjesës së parë Foden do kalonte ekipin e Guardiolës në avantazh, duke realizuar me goditje dënimi. Në pjesën e dytë, talenti i madh anglez, gjeti edhe dy herë të tjera rrugën e rrjetës, duke vulosur shifrat përfundimtare.
Tre pikët mori edhe Arsenal, që ashtu si Manchester City, janë pretendentë për titullin në Premier League. “Topçinjtë” mposhtën me rezultatin e pastër 2-0 Lutton në Londër. Fillimisht realizoi Odegard dhe më pas erdhi një autogol. Kjo fitore e riktheu Arsenalin të paktën përkohësisht në vendin e parë me 68 pikë, 1 më shumë se Liverpooli që luan sonte kundër Shefield United dhe po 1 pikë më shumë se Manchester Cityt të vendit të tretë.
Në Itali, në gjysmëfinalen e parë të Kupës, Fiorentina ia doli të thyejë 1-0 Atalantën e Gjimshitit. Golin e vetëm të sfidës e realizoi Madragora në minutën e 31, por gjithsesi kjo përballje për të përcaktuar finalistin zgjidhet përfundimisht me 24 prill, kur në Bergamo të luhet gjysmëfinalja e kthimit.
Në Gjermani Bayern Leverkusen nuk njeh kundërshtarë dhe nuk e ka ndërmend të ndalet. Në gjysmëfinalen e Kupës të besuarit e Xabi Alonsos fituan thellë 4-0 kundër Duseldorf. Golat erdhën nga Frimpong, Adli dhe Ëirtz i cili realizoi ‘dopietë’. Në finale Leverkusen do përballet me Kaiserslauten.