Gerard Pique ka vendosur të tërhiqet nga futbolli i luajtur. Në moshën 35 vjeçare mbrojtësi i Barcelonës nëpërmjet një videoje ka thënë se ndeshja me Almerian të shtunë do jetë e fundit në Camp Nou, teksa me ndërprerjen e La Liga për shkak të Botërorit, do heqë dorë nga futbolli. Pas 14 vitesh në Camp Nou, Pique flet me fjalë zemre dhe tregon se do jetë mbështetësi i parë i ekipit duke ia transmetuar dashurinë fëmijëve.
“Javët, muajt e fundit, njerëzit kanë folur për mua”, tha Pique në një video të postuar në mediat sociale. “Deri më tani nuk kam thënë asgjë, por tani dua të jem ai që flas. Si shumë prej jush, edhe unë kam qenë gjithmonë tifoz i Barcelonës. Kam lindur në një familje futbolldashëse. Që në moshë shumë të vogël, nuk doja të bëhesha futbollist, doja të luaja për Barçën. Kohët e fundit kam menduar shumë për atë fëmijë. Nëse do t'i kishin thënë se do t'i përmbushte të gjitha ëndrrat e tij, se do të luante për Barçën, se do të fitonte çdo trofe të mundshëm, se do të ishte kampion Europe dhe Bote, se do të luante me lojtarët më të mirë në histori, se do të bëhej një nga kapitenët e skuadrës... nuk do e mendonte.
Futbolli më ka dhënë gjithçka. Ju, tifozët, më keni dhënë gjithçka. Tani ëndrrat e mia të fëmijërisë janë përmbushur. Dua t'ju them se kam vendosur që tani është koha për ta çuar këtë udhëtim deri në fund. Gjithmonë kam thënë se pas Barcelonës nuk do të ketë asnjë ekip tjetër dhe kështu do të jetë. Ndeshja e kësaj të shtune do të jetë e fundit për mua në Camp Nou. Unë do të bëhem një tifoz i rregullt, do të mbështes ekipin dhe do t'ua transmetoj dashurinë për klubin fëmijëve të mi, siç bëri familja ime me mua. Dhe ju më njihni, herët a vonë do të kthehem. Shihemi në Camp Nou. Visca Barca, gjithmonë dhe përgjithmonë”, thotë Pique.
Pas Almerias në shtëpi, ndeshja me Osasunan pas 10 ditësh do jetë e fundit për Pique në futbollin e luajtur. 35 vjeçari ka fituar çdo trofe të mundshëm me Barçën dhe Spanjën.