Serie A e futbollit nisi këtë të premte javën e 15-të. Në Torino, Juventusi fitoi 1-0 kundër kampionëve në fuqi të Napolit dhe për momentin merr vendin e parë në renditje duke i bërë presion Interit që ka një ndeshje më pak.
Ndeshja nisi më mirë për Napolin, me djemtë e Mazzarrit që kontrolluan lojën, por mbrojtja e “Zonjës” dhe Szczesny ishin në ditën e duhur. Rasti më i mirë ishte për Di Lorenzon dhe Kvaratskelian te Napolin, si edhe Vlahovic te Juvja, mirëpo pjesa e parë u mbyll 0-0.
Fraksioni i dytë nisi mirë për bardhezinjtë e Allegrit. Duhej minuta e 51 që Cambiaso të krosonte nga krahu i djathtë dhe Gatti me kokë të mposhtte në dyluftim Rrahmanin dhe t’ia dërgonte topin në rrjet Meret.
Pas pësimit të golit Napoli u përpoq të shënonte dhe gjeti barazimin me Osimhen, kjo edhe pas një dalje të gabuar nga portieri, por gjithçka u anullua për pozicion jashtë loje.
Në fund Juvja fiton 1-0 dhe sërish Gatti tregohet deçiziv edhe pse një mbrojtës. Për t’u përmendur edhe dëmtimi i Vlahovic. Me këtë sukses Juventusi mban kreun e Serie A me 36 pikë, një më shumë se Interi që nesër luan me Udinesen. Napoli me 24 pikë qëndron në vendin e pestë.