ROTTERDAM - Një gol i jashtëzakonshëm në minutat e fundit nga Anis Hadj Moussa i siguroi Algjerisë një fitore 0-1 kundër Holandës të mërkurën në stadiumin 'De Kuip', në miqësoren përgatitore për Kupën e Botës 2026. Kjo ishte humbja e parë e 'Tulipanëve' në këtë stadium që nga qershori i vitit 2023.
Të dyja skuadrat treguan që në fillim dëshirën për të sulmuar, ndërsa përgatiteshin për sfidat e Kupës së Botës (11 qershor - 19 korrik). Megjithatë, Holanda mori gradualisht kontrollin e lojës.
Rastin e parë vendasit e patën në minutën e 8-të, kur një aksion i shpejtë përfundoi me goditjen e Donyell Malen që u ndal nga shtylla. Më pas, debutuesi Crysencio Summerville mendoi se kishte regjistruar asistin e parë me kombëtaren, por u kap në pozicion jashtë loje përpara se t’i pasonte topin Tijjani Reijnders.
Summerville krijoi edhe një tjetër mundësi për Malen, por sulmuesi e dërgoi topin jashtë porte. Portieri Luca Zidane, djali i legjendës Zinedine Zidane, bëri disa pritje vendimtare ndaj Cody Gakpo dhe Reijnders, ndërsa Holanda vazhdonte të ushtronte presion.
Nga ana tjetër, Algjeria ishte pranë golit pas një gabimi të Jan Paul van Hecke. Mohamed Amoura i rrëmbeu topin, mori një pasim të shkëlqyer nga Riyad Mahrez, por u ndal në momentin e fundit nga një ndërhyrje heroike e Micky van de Ven. Pas goditjes nga këndi, tentativa e Nabil Bentaleb shkoi drejt në duart e portierit Bart Verbruggen.
Në pjesën e dytë, trajnerët kryen nga 11 zëvendësime. Ibrahim Maza i miqve ishte pranë golit menjëherë pas hyrjes në fushë, por goditja e tij e devijuar kaloi ngjitur me shtyllën e debutuesit Robin Roefs.
Malen humbi një tjetër rast të mirë për Holandën, ndërsa Van Hecke shpëtoi përsëri skuadrën e tij duke bllokuar një tentativë të Amouras. Zidane vazhdoi të shkëlqente, duke pritur një goditje të fuqishme të Justin Kluivert. Ky i fundit më pas kombinoi bukur me Gakpon, por nuk arriti ta konkretizonte rastin.
Kur dukej se ndeshja do të përfundonte pa gola, në minutën e 86-të erdhi momenti magjik i Hadj Moussa. Sulmuesi algjerian kaloi me elegancë përballë Jorrel Hato dhe lëshoi një goditje fantastike me të majtën në trekëndëshin e portës, duke heshtur stadiumin që është shtëpia e tij, pasi në nivel klubesh luan me Feyenoordin.
Me këtë fitore, Algjeria regjistron vetëm dy humbje në 18 ndeshjet e fundit (njëra prej tyre pas goditjeve të penalltive), ndërsa i dha fund serisë prej 10 ndeshjesh pa humbje të Holandës.
Komente



