Holanda ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në Eurovision 2027, duke ndryshuar sërish qëndrimin për konkursin muzikor për shkak të pjesëmarrjes së Izraelit. Vendimi vjen pasi në shtator vendi kishte njoftuar se do të rikthehej në garë, pas bojkotit të edicionit të vitit 2026.

Organizata holandeze e transmetuesve publikë, NPO bëri të ditur se nuk arriti të siguronte mbështetjen e nevojshme nga transmetuesit për të dërguar një artist holandez në konkurs.

Drejtuesja e organizatës, Jet de Ranitz deklaroi se për shkak të ndjeshmërisë së situatës aktuale, është vendosur që pjesëmarrja të shtyhet për momentin. Sipas saj, fillimisht kishte pasur mbështetje të mjaftueshme për rikthimin, por diskutimet e mëvonshme treguan se nuk kishte dakordësi të plotë.

Vendimi për t'u rikthyer në Eurovision kishte shkaktuar kundërshti në Holandë. Në fillim të këtij muaji, qindra punonjës të NPO-së nënshkruan një letër kundër pjesëmarrjes, ndërsa edhe disa figura të njohura të medias holandeze shprehën publikisht kundërshtimin e tyre.

Holanda ishte mes pesë vendeve që bojkotuan Eurovision 2026, së bashku me Spanjën, Irlandën, Islandën dhe Slloveninë, pasi organizatorët vendosën të mos përjashtonin Izraelin për shkak të luftës në Gaza dhe dhunës ndaj palestinezëve në Bregun Perëndimor.

Pavarësisht tërheqjes nga gara, NPO konfirmoi se do ta transmetojë Eurovisionin në vitin 2027. Konkursi do të mbahet në Bullgari, pasi këngëtarja bullgare Dara fitoi edicionin e vitit 2026.