Një konflikt mes pronarit të një lokali në fshatin Goriçaj, Petrit Toromëni, 42- vjeç dhe bashkëfshatarit të tij, Eduart Stambolliu, 42 vjeç, ka çuar në vrasjen e këtij të fundit. Viktima u qëllua me armë gjahu në ambientet e lokalit dhe gjeti vdekjen rrugës për në spital. Shkak për ngjarjen ka qenë pasi viktima ka ngacmuar bashkëshorten e autorit në ambientet e lokalit të këtij të fundit.
Eduart Stambolliu, i cili njihej edhe si Almir Llupo, ka marrë plagë të rënda të shkaktuara nga arma e gjahut. 42- vjeçari është transportuar drejt spitalit të Lushnjes por ka ndërruar jetë gjatë rrugës, ndërsa Toromëni është arrestuar pak kohë pas ngjarjes.
Burime për Shqiptarja.com bëjnë me dije se sherri mes këtyre dy personave ka nisur pasi viktima ka ngacmuar bashkëshorten e Petrit Toromënit në ambientet e lokalit të këtij të fundit. Ndërkohë, policia bën të ditur se po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të ngjarjes.
Viktima i dënuar për prostitucion
Shqiptarja.com ka mësuar se Eduart Stambolliu, (Almir Llupo) kishte vetëm pak kohë që kishte dalë nga burgu, pasi ishte dënuar me 11 vite heqje lirie për prostitucion. Mësohet se ai kishte lënë qelinë në fillim të vitit 2017.
Ndërkohë, të njëjtat burime bëjnë me dije se Stambolliu, njihej si njeri problematik dhe si përdorues i rregullt i alkoolit. Mbrëmjen e kaluar ai mbërriti në lokalin e Toromënit ku i ka ngacmuar bashkëshorten. Autori i krimit nuk ka duruar dhe ka rrëmbyer menjëherë armën e gjahut të cilën ia ka zbrazur 42-vjeçarit Eduart Stambolliu, (Almir Llupo), i cili humbi jetën rrugës për në spital.
[gallery]25099[/gallery]
Njoftimi i policisë:
Në datën 11.12.2017, rreth orës 23:40 në Sallën Operative të Komisariatit të Policisë Divjakë ka ardhur një telefonatë se në fshatin Goriçaj ka ndodhur një vrasje. Mënjëherë është nisur drejt vendit të ngjarjes grupi hetimor i cili ka konstatuar se:
Në fshatin Goriçaj, Divjakë, në një lokal është qëlluar me armë gjahu shtetasi A.Ll, 42 vjeç, banues në Goriçaj, Divjakë, i cili ndërroi jetë rrugës për në spital. Në kohë rekord policia e Divjakës zbardh ngjarjen dhe arreston në flagrancë autorin e dyshuar.
Nga hetimet paraprake rezultoi se autori i dyshuar i kësaj ngjarje është shtetasi Petrit Toromëni, 42 vjeç, banues në fshatin Goriçaj, Divjakë, pronari i lokalit ku ka ndodhur vrasja. Dyshohet se vrasja ka ndodhur si pasojë e një konflikti të çastit për motive të dobëta. Policia po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të ngjarjes.
Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com

VIDEO









