Rayo Vallecano fitoi 2-1 me Barcelonën për javën e 31-të në La Liga. Dueli i zhvilluar në "Estadio de Vallecas" në Madrid, pa vendasit më të vendosur në fushë, duke shënuar vetëm pas 19 minutash me Alvaro Garcia. Po në pjesën e parë, Barça u ndëshkua me tre kartona të verdhë, duke shfaqur nervozizëm në fushë.
Pjesa e dytë nisi po me gol, teksa në të 53 minutë ishte Fran Garcia që dërgoi shifrat në 2-0 për Vallecanon. Vetëm në minutën e 83 Barça shënoi me Lewandowskin, që në fund shërbeu sa për statistika. Në fushë për vendasit ishte edhe Ivan Balliu, mbrojtësi i Kombëtares që u vlerësua me notën 6.8 në këtë duel, mbi mesataren e lojës.
I dalë nga moshat e Barçës, duket se tri pikët ishin si një lloj hakmarrje e Balliut kundër ish-ekipit të tij. Me 76 pikë, Barcelona mban vendin e parë në La Liga dhe është 11 pikë më shumë se Real Madridi ndjekës. Vallecano me 43 pikë mban vendin e nëntë, vetëm katër pikë më pak se zona evropiane.