Jasir Asani është në "gojën" e UEFA-s pasi goli i sulmuesit të Kombëtares në fitoren 2-0 kundër Polonisë u vlerësua si ndër katër më të shkëlqyerit e raundit të gjashtë të kualifikueseve të Euro 2024. Në të 37 minutë, mëngjarashi shpiku një goditje diagonale nga e djathta e sulmit, duke befasuar në portë gardianin e Juventusit, Wojciech Szczęsny.
Të gjithë tifozët mund të votojnë golin e Jasirit në faqen e UEFA-s, me votimin që është hapur. Veç golit të sulmuesit kuqezi, edhe Trossard i Belgjikës, Joao Felix i Portugalisë dhe Samorodov i Kazakistanit janë në garë.
Kujtojmë se Shqipëria fitoi 2-0 me Poloninë në "Air Albania" me golat e Asanit dhe Dakut, me kuqezinjtë që katapultohen kështu për momentin në vendin e parë të grupit E kualifikues, ndërsa ndjek Çekia që ka një ndeshje më pak.