SHBA - Temperaturat ekstreme po shndërrohen në një nga sfidat më të mëdha të Kupës së Botës 2026, me kombëtaret favorite që po marrin masa të jashtëzakonshme për të mbrojtur lojtarët nga i nxehti përvëlues.
Kombëtarja e Gjermanisë po stërvitet në 'Uinston-Salem' nën temperatura që kanë arritur deri në 41 gradë celsius, duke detyruar stafin teknik dhe atë mjekësor të zbatojnë një plan të detajuar për menaxhimin e kushteve klimatike.
Për të lehtësuar ndikimin e vapës, futbollistët gjermanë po përdorin jelekë specialë ftohës gjatë stërvitjeve dhe proceseve të rikuperimit. Në qendrën stërvitore janë instaluar gjithashtu ventilatorë të posaçëm me avull uji, të cilët ndihmojnë në uljen e temperaturës dhe krijimin e kushteve më të favorshme për ekipin.
Stafi mjekësor qëndron në gatishmëri të plotë gjatë çdo seance stërvitore për të monitoruar gjendjen e lojtarëve dhe për të parandaluar problemet që mund të shkaktohen nga temperaturat e larta.
Trajneri i Gjermanisë, Julian Nagelsmann, ka zgjedhur edhe një metodë të veçantë përshtatjeje me klimën amerikane. Tekniku gjerman u ka kërkuar futbollistëve të kufizojnë qëndrimin në ambiente me ajër të kondicionuar dhe të kalojnë më shumë kohë jashtë, me synimin që organizmi të adaptohet gradualisht me temperaturat që do të hasin gjatë ndeshjeve të turneut.
Edhe kampet e tjera të skuadrave evropiane, përfshirë atë të kombëtares së Spanjës, po monitorojnë me kujdes kushtet klimatike, pasi vapa pritet të luajë një rol të rëndësishëm në ecurinë e skuadrave gjatë Botërorit. Spanjollët gjithashtu janë filmuar duke përdorur jelekët ftohës.
The heat is no joke! Spain are using ice vests during training. ? pic.twitter.com/fbIgmaq5YJ
— No Context World Cup (@NoContextEPL) June 13, 2026
Komente








