Dinamo fitoi 1-0 me Korabin, në ndeshjen përmbyllëse të javës së 21-të në Kategorinë e Parë. Përballja në "Selman Stërmasi" ishte e luftuar, me raste dhe me grintë, teksa miqtë e Kumbarçes mbetën me një lojtar më pak pas 36 minutave lojë, atëherë kur Tabaku pas dy kartonave të verdhë pa në fytyrë të kuqin nga Enea Jorgji.
Pjesa e dytë ka qenë me raste, teksa Dinamo ishte superiore. Në tre raste të pastra, Korabi kishte aleate edhe shtyllën. Duhej minuta e 75 e ndeshjes kur Redon Danaj do mposhtte portierin Qyrani.
Pas golit, miqtë protestuan për disa minuta, teksa pretendojnë për një pozicion jashtë loje, pasi sipas tyre Gjoni ka prekur topin që më pas përfundoi te Danaj. Rasti është i dyshimtë, me arbitrat që kanë akorduar golin.
Goli i Dinamos
Me këtë fitore minimale, Dinamo shkon në kuotën e 40 pikëve, një më pak se Skënderbeu kryesues. Duket se në pesë javët e mbetura, Kategoria e Parë do ketë një luftë të madhe sportive për të mësuar skuadrën kampione. Kujtojmë se dy vendet e para në këtë kategori ngjiten në Superligë, ndërsa vendi i tretë në play-off.