Euro 2024/ Shkova, barazova dhe shpresova! Shqipëria tregon karakter mes 2 golave dhe merr një pikë në Çeki (VIDEO)

FT/ Çeki 1-1 Shqipëri (Cerny 57' / Bajrami 66')

Euro 2024 - grupi E, "Fortuna Arena", Pragë

Arbitër - Anthony Taylor

PRAGË, ÇEKI - Kombëtarja shqiptare e futbollit barazoi 1-1 kundër Çekisë në Pragë, për sfidën kualifikuese të Euro 2024 në grupin E. Kuqezinjtë ia dolën të marrin një pikë, në një ndeshje të luftuar, me raste dhe me një lojë të mirë. Sylvinho u tregua guximtar në këtë duel, duke hedhur në fushë një ekip sulmues paçka se luante me vendin e parë në grup. Goli i Cerny në minutën e 57-të hapi ndeshjen për çekët, ndërsa Nedim Bajrami u kujdes të linte shenjë me një "perlë" nëntë minuta më vonë, teksa realizimi nga jashtë zone ishte me vlerën e një pike për tanët.

Ndeshja nisi mirë për tanët, që kishin dy raste me Asanin dhe Cikalleshin. Dyshja nuk përfitoi në disa momente, me pjesën e parë që u mbyll pa gola. Duhej fraksioni i dytë i lojës që Cerny në të 57 minutë të kalonte vendasit në avantazh, kjo edhe pas një gabimi në prapavijën e kuqezinjve. Përtej golit të pësuar, Kombëtarja reagoi dhe pas dhjetë minutash shënoi me Nedim Bajramin. Fantazisti i Sassuolos mori topin dhe me një të djathtë nga jashtë zone shtangu portierin vendas.

Fundi i lojës ishte dramatik, me Dakun që nuk pasoi mirë për Mujën, duke humbur një rast të mirë në debutim. Në fund edhe pas shtatë minutave lojë ndeshja u mbyll 1-1, teksa kuqezinjtë e Sylvinhos siguruan një pikë me vlerë kundër kryesuesve të grupit.

Po për grupin tonë, Polonia fitoi 2-0 me Ishujt Faroe. Pas katër ndeshjeve në grup, Çekia me tetë pikë është në krye, ndjekur nga Shqipëria me shtatë pikë dhe Polonia me gjashtë. Moldavia në vendin e katërt me pesë pikë, teksa mbyllin klasifikimin me një pikë Ishujt Faroe.

Me paraqitjen e mirë dhe pikën e marrë, Shqipëria pret me moral të lartë Poloninë në "Air Albania", këtë të diel në orën 20:45 për grupin E kualifikues të Euro 2024.

Zhvillimet kryesore nga ndeshja:

90+7' Mbyllet 1-1 ndeshja në "Fortuna Arena".

90' Shtatë minuta shtesë.

84' Gjasula dhe Uzuni në fushë, dalin Bajrami dhe Seferi.

83' Mirlind Daku nuk pason saktë për Mujën, teksa kundërsulmi mund të ishte deçiziv për tanët. Në një aksion që ishim në avantazh numerik, Daku gaboi një pasim të thjeshtë.

74' Berisha hero te Shqipëria, shpëton një gol të sigurt dhe mban në lojë tanët.

69' Dy zëvendësime te tanët, Bare dhe Arbnor Muja në fushë. I bëjnë vend Asani dhe Asllani.

66' Nedim Bajrami barazon ndeshjen me një perlë nga jashtë zone. Çeki 1-1 Shqipëri në Pragë. Vetëm nëntë minuta zgjat avantazhi i vendasve.

58' Mirlind Daku merr vendin e Cikalleshit.

57' Cerny në minutën e 57-të të ndeshjes ndëshkon tanët. Një vendosje jo e mirë në prapavijë ka sjellë edhe golin e vendasve.

52' Jasir Asani merr karton të verdhë.

48' Çekia shënon me Provod. Sulmuesi ndëshkon Berishën, por VAR i vjen në ndihmë tanëve duke konfirmuar pozicionin jashtë loje.

46' Nis pjesa e dytë.

45+2' Mbyllet pjesa e parë.

43' Gafë e Shqipërisë në mesin e fushës, Soucek fal kuqezinjtë.

28' Jasir Asani i vetëm me portierin çek gabon nga brenda zonës. Anësori i jep "asist" sulmuesit duke ngritur flamurin për pozitë jashtë loje. Disa sekonda më pas, Cikalleshi nuk ka mundur të përfitojë në zonën vendase.

12' Cerny provon te vendasit nga jashtë zone, ndal bukur Berisha.

6' Sulm i bukur i tanëve, Cikalleshi është në pozicion jashtë loje.

1' Nis ndeshja në "Fortuna Arena".

Prag - dueli / Me këngë patriotike dhe me valle, kuqezinjtë duken si në shtëpinë e tyre, teksa janë më shumë se 4 mijë fansa shqiptar në stadium, edhe pse zyrtarisht do duhet të ishin diçka më shumë se 1200.

Që prej ditës së djeshme tifozët e Kombëtares ishin prezent në Pragë, duke kthyer në festë sheshet dhe lokalet në kryeqytetin çek.

Trajneri i tanëve, Sylvinho ka bërë edhe zgjedhjet e tij në listën me 23 emrat që do ketë të gatshëm për këtë duel. Sipas protokollit të bërë publik edhe nga UEFA, Odise Roshi ka mbetur në tribunë për këtë sfidë, me Mujën dhe Dakun që do jenë të gatshëm. Nëse Qazim Laçi mbeti në Tiranë për shkak të problemeve gripale, Roshi ka dalë "i tepërt" për Çekinë.

Sylvinho luajti me skemën 4-3-3, teksa Berisha është në portë. Në mbrojtje luan Hysaj, Ismajli, Gjimshiti dhe Mitaj, ndërsa mesi i fushës për Ramadanin, Asllanin dhe Bajramin. Sulmi i takon Asanit, Seferit dhe Cikalleshit. Bie në sy se jashtë formacionit ka mbetur Balliu, Gjasula dhe Uzuni. Me bërjen publike të formacioneve, bie në sy se kapiteni i ri i Shqipërisë do jetë Berat Gjimshiti. Edhe pse Berisha dhe Hysaj janë në fushë, mbrojtësi i Atalantës është graduar në detyrën e re.

Në total dy kombëtaret ishin vënë përballë njëra-tjetrës në 6 raste, ndërsa 5 prej tyre kanë qenë në periudhën kur Çekia dhe Sllovakia ishin bashkë. Tre sfidat e para kanë qenë miqësore, një fituar nga Çekosllovakia dhe dy të tjerat nga Shqipëria. Të vetmet ndeshje zyrtare janë zhvilluar në vitin 1991 për kualifikueset e Europianit, teksa Çekosllovakia i ka fituar të dyja. 0-2 në Tiranë dhe pak më vonë 2-1 në Pragë.

Formacionet zyrtare:

Shqipëria (4-3-3): Berisha; Hysaj, Ismajli, Gjimshiti, Mitaj; Bajrami, Ramadani, Asllani; Asani, Seferi, Cikalleshi Trajner: Sylvinho

Çekia (3-4-3): Pavlenka; Holes, Brabec, Krejci; Coufal, Soucek, Kral, Provod; Cerny, Cvancara, Kuchta Trajner: Jaroslav Sihavy

 
 
 

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 23:51
FOTO/ 'Bajrami shënoi sërish', postimi i UEFA-s për mesfushorin e Kombëtares pas supergolit me Çekinë

1694119656_nedimbajrami.jpg

“Bajrami e bëri përsëri”, shkruan “EURO 2024” në “Instagram” duke i thurur elozhe mesfushorit kuqezi.

Supergoli i tij kundër Çekisë në minutën e 66’, bëri që kuqezinjtë të dilnin me një pikë nga  transfertë.

Postimi i referohet dhe golave të mëparshëm të mesfushorit që luan me Sasuolon, i cili shkon kështu në kuotën e 3 golave në tre ndeshjet e fundit me Kombëtaren.

Për Bajramin ky ishte goli më i bukur i karrierës së tij.

1694125382_76868.jpg

Ora 23:46
Duka i kënaqur me golin në Çeki, shpreson fitore dhe të dielën me Poloninë! Festa e tifozëve shqiptarë në Pragë

Kombëtarja shqiptare e futbollit barazoi 1-1 kundër Çekisë në Pragë, për sfidën kualifikuese të Euro 2024 në grupin E. Kuqezinjtë ia dolën të marrin një pikë, në një ndeshje të luftuar, me raste dhe me një lojë të mirë. Goli i Cerny në minutën e 57-të hapi ndeshjen për çekët, ndërsa Nedim Bajrami u kujdes të linte shenjë me një "perlë" nëntë minuta më vonë, teksa realizimi nga jashtë zone ishte me vlerën e një pike për tanët.

Presidenti i FSHF-së Armand Duka u shpreh i kënaqur me rezultatin.

“Jam i kënaqur dhe i gëzuar me rezultatin”

Tani nis përgatitja për ndeshjen e të dielës.

“Na pret një ndeshje shumë e vështirë në Tiranë. Uroj ta fitojmë në shtëpi. Do kemi gjithë Shqipërinë me vete” tha Duka.

Ndërkohë ka nisur festa e tifozëve shqiptarë në metronë e kryeqytetit çek por dhe në hotelin ku janë akomoduar futbollistët e kombëtares.

Të dielën Shqipëria luan me Poloninë në stadiumin “Air Albania”

Ora 23:22
Sylvinho: Tifozët panë një ndeshje shumë të bukur! Atmosferë shumë e mirë në dhomat e zhveshjes! Ndeshja me Poloninë është shumë e rëndësishme

1693648078_sylvinho.jpg

Trajneri Sylvinho u shpreh shumë i kënaqur nga loja e kombëtares me barazimin 1 -  1 në ndeshjen me Çekinë.

“Ishte një skuadër e fortë sepse ata luanin dhe në shtëpinë e tyre. Kanë një ritëm shumë të fortë sidomos në fillim të ndeshjes. Luan shumë fort në shtëpi dhe ishte shumë e rrezikshme. Është e rëndësishme të merrnim një pikë. Jemi në gjysmë të rrugës. Kemi bërë një ndeshje të mirë’

E rëndësishme për kualifikimin është ndeshja me Poloninë

“Ndeshja me Poloninë është shumë e rëndësishme. Jam shumë i kënaqur për shpirtin e garës që treguan, qoftë për Mujën e Dakun. Po krijohet një atmosferë shumë e mirë në dhomat e zhveshjes dhe është shumë pozitive. Tifozët panë një ndeshje shumë të bukur. 

Ora 23:19
'Ky është goli më i bukur në karrierë', heroi Bajrami: Dhamë shpirtin në fushë! Të vazhdojmë me këmbë në tokë me Poloninë

Goli i Nedim Bajramit barazoi ndeshjen me Çekinë me një perlë nga jashtë zone. Vetëm nëntë minuta zgjat avantazhi i vendasve.

Në një prononcim për median ai tha se luajtën si skuadër

Nedim Bajrami: E kena ditë që do të jetë ndeshje e vështirë. Dhamë shpirtin në fushë. Duhet të vazhdojmë me këmbë në tokë. Të dielën kemi finale tjetër. E dimë që do të luajmë në shtëpi. Shpresojmë që të gjithë tifozët të japin shpirtin. Luajtëm si skuadër dhe bëmë golin

Pyetje: A është goli më i bukur i karrierës tënde?

Nedim Bajrami: Deri tani është goli më i bukur që kam bërë në karrierën time.

Ora 23:08
VIDEO/ Debutim me pikë, Mirlind Daku s'i mban lotët për Kombëtaren: Ja pse gabova te pasimi për Mujën

 

Mirlind Daku debutoi me Kombëtaren kuqezi, në barazimin 1-1 me Çekinë në Pragë. Sulmues s'i mbajti lotët duke folur edhe për rastin e humbur.

“Nuk e di, jam pa fjalë. Kur përfundoi ndeshja isha totalisht i emocionuar që arrita të debutoj me kombëtaren shqiptare. Për mua është arritje e madhe, për familjen time që kemi luftuar për të arritur këtë moment. (Nuk mban lotët)

Pasimi? Në rastin e parë mendova ta pasoja te Nedimi por në atë moment mendova që është jashtë loje e mendova t’ia jap Mujës. Nuk desh Zoti ta mbyllnim me atë aksion e shënonim. Dëshira ime ishte të shënonim por çfarë t’i bëjmë. Shpresoj që në ndeshjet e ardhshme të jemi më syhapur”, tha për “Supersport” Daku.

 
Ora 23:06
Etrit Berisha: Mundëm të fitonim me pak fat e me pak përqëndrim

Në minutën 74' Berisha ishte hero te Shqipëria pasi shpëton një gol të sigurt dhe mban në lojë tanët.

Në një prononcim për median Etrit Berisha tha se u bë një ndeshje shumë e mirë.

“Mundëm të fitonim me pak fat e me pak koncentrim. Tani duhet të përgatitemi shumë mirë për ndeshjen e ardhshme që ka një peshë në kualifikim” tha Berisha në prononcimin për median pas barazimit të Shqipërisë me Çekinë.

Ora 22:59
Shqipëria barazoi me Çekinë, Rama: Kjo kombëtare jep shpirtin në fushë dhe frymëzon

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas barazimit të kombëtares në Pragë me Çekinë.

‘Krenar për Shqipërinë! Kjo Kombëtare nuk bën vetëm pikë, po luan futboll si e barabartë në çdo drejtim, jep shpirtin në fushë dhe frymëzon. Faleminderit djemve kuqezinj, po faleminderit edhe kampionëve që e drejtojnë këtë skuadër kaq dinjitoze, trainerit Sylvinho dhe ndihmësve të tij.’- shkruan Rama.

 

Ora 22:32
VIDEO/ Duart në kokë, Daku emocionohet në fundin e ndeshjes! Çfarë gafe në sulmin e Kombëtares

83' Mirlind Daku nuk pason saktë për Mujën, teksa kundërsulmi mund të ishte deçiziv për tanët. Në një aksion që ishim në avantazh numerik, Daku gaboi një pasim të thjeshtë.

Ora 22:12
VIDEO/ Mrekulli në Çeki, Nedim Bajrami shënon nga jashtë zone! Shqipëria barazon çekët

66' Nedim Bajrami barazon ndeshjen me një perlë nga jashtë zone. Çeki 1-1 Shqipëri në Pragë. Vetëm nëntë minuta zgjat avantazhi i vendasve.

Ora 22:03
VIDEO/ Heshtje te Kombëtarja, Çekia kalon në avantazh me Cerny

57' Cerny në minutën e 57-të të ndeshjes ndëshkon tanët. Një vendosje jo e mirë në prapavijë ka sjellë edhe golin e vendasve.

Ora 21:57
Çekia shënon në portën e Berishës, VAR i vjen në ndihmë Kombëtares (VIDEO)

48' - Çekia shënon me Provod. Sulmuesi ndëshkon Berishën, por VAR i vjen në ndihmë tanëve duke konfirmuar pozicionin jashtë loje.

Ora 21:16
VIDEO/ Jasir Asani s'i beson syve, humbet mundësinë e artë! Anësori 'asist' për sulmuesin

28' - Jasir Asani i vetëm me portierin çek gabon nga brenda zonës. Anësori i jep "asist" sulmuesit duke ngritur flamurin për pozitë jashtë loje. Disa sekonda më pas, Cikalleshi nuk ka mundur të përfitojë në zonën vendase.

Ora 20:17
Flamuri kuqezi valvitet në Pragë, tifozët e Kombëtares futen në stadium me plis (VIDEO)

Republika Çeke dhe Shqipëria do luajnë sot në 20:45 në Pragë, për kualifikueset e Euro 2024 në grupin E. Tanimë në "Fortuna Arena" tifozët e Shqipërisë kanë hyrë në impiantin ku do luhet sfida. Më shumë se 3 mijë tifozë kuqezinj do jenë në stadium. Në pamjet e para duken tanët që janë me plis në kokë dhe duke valvitur flamurin kuqezi.

Ora 19:53
Sylvinho i heq 'gradat' Berishës dhe Hysajt, Berat Gjimshiti kapiteni i ri i Kombëtares


Pas pak, këtë të enjte në 20:45 në stadiumin "Fortuna Arena" në Pragë luhet ndeshja Çeki - Shqipëri, e vlefshme për kualifikueset e Euro 2024. Me bërjen publike të formacioneve, bie në sy se kapiteni i ri i Shqipërisë do jetë Berat Gjimshiti. Edhe pse Berisha dhe Hysaj janë në fushë, mbrojtësi i Atalantës është graduar në detyrën e re.

Ora 19:25
FORMACIONET ZYRTARE/ Befason Sylvinho kundër Çekisë, Uzuni ulet në stol! Mitaj nga minuta e parë, ka vend edhe për Asllanin


Kombëtarja shqiptare e futbollit luan sot në 20:45 kundër Çekisë në transfertë, për ndeshjen kualifikuese të Euro 2024. Në Pragë trajneri Sylvinho ka vendosur edhe 11-shen titullare për këtë sfidë. Duelin e gjykon arbitri i Premier League, Anthony Taylor.

Sylvinho do luajë me skemën 4-3-3, teksa Berisha është në portë. Në mbrojtje luan Hysaj, Ismajli, Gjimshiti dhe Mitaj, ndërsa mesi i fushës për Ramadanin, Asllanin dhe Bajramin. Sulmi i takon Asanit, Seferit dhe Cikalleshit. Bie në sy se jashtë formacionit ka mbetur Balliu, Gjasula dhe Uzuni.

Formacionet zyrtare:

Shqipëria (4-3-3): Berisha; Hysaj, Ismajli, Gjimshiti, Mitaj; Bajrami, Ramadani, Asllani; Asani, Seferi, Cikalleshi Trajner: Sylvinho

Çekia (3-4-3): Pavlenka; Holes, Brabec, Krejci; Coufal, Soucek, Kral, Provod; Cerny, Cvancara, Kuchta Trajner: Jaroslav Sihavy

Ora 19:06
VIDEO/ Shqipëria gati në Çeki, Muja dhe Daku zgjedhin numrat! Brenda dhomës së zhveshjes

Republika Çeke dhe Shqipëria do luajnë sot në 20:45 në Pragë, për kualifikueset e Euro 2024 në grupin E. Kuqezinjtë duken gati për këtë duel, teksa në dhomat e zhveshjes gjithçka ka marrë jetë, me tanët që do luajnë me fanella të bardha. Arbnor Muja ka marrë numrin 22, ndërsa Mirlind Daka numrin 19-të.

Ora 18:27
Çekia vlen sa dyfishi i Shqipërisë, koha kur milionat s'vlejnë sa zemra


Kombëtarja shqiptare kë një detyrë të vështirë sot në 20:45, teksa në Pragë përballet me Çekinë për kualifikueset e grupit E të Euro 2024. Nëse i hedhim një sy vlerës së lojtarëve në "Transfermarkt", kuqezinjtë vlejnë 73.95 milionë euro, shumë më pak se Çekia, që vlen 126.55 milionë euro në totalin e lojtarëve.

Lojtari më i vlefshëm te tanët është Kristjan Asllani me 12 milionë euro, ndjekur nga Berat Gjimshiti i Atalantës me 10 milionë euro. Mungesa e Armando Brojës në këtë grumbullim dhe vlera e tij e munguar prej 28 milionë eurosh në shumatoren totale, ka sjellë edhe këtë diferencë me çekët.

Nga ana tjetër, kapiteni i Çekisë, Tomas Soucek vlen 35 milionë euro. Në renditjen e fundit të FIFA-s, Shqipëria mban vendin e 65-të ndërsa Çekia vendin e 37-të. Më shumë se eurot, në një ndeshje të tillë vlen zemra.

Ora 17:25
Sylvinho beson te Daku dhe Muja kundër Çekisë, Odise Roshi mbetet në tribunë


Republika Çeke dhe Shqipëria do luajnë sot në 20:45 në Pragë, për kualifikueset e Euro 2024 në grupin E. Trajneri i tanëve, Sylvinho ka bërë edhe zgjedhjet e tij në listën me 23 emrat që do ketë të gatshëm për këtë duel. Sipas protokollit të bërë publik edhe nga UEFA, Odise Roshi ka mbetur në tribunë për këtë sfidë, me Mujën dhe Dakun që do jenë të gatshëm. Nëse Qazim Laçi mbeti në Tiranë për shkak të problemeve gripale, Roshi ka dalë "i tepërt" për Çekinë.

Ora 17:16
Bastet s'na përfillin, koha që Kombëtarja të 'rrëzojë' koeficientët dhe Çekinë


Republika Çeke dhe Shqipëria do luajnë sot në 20:45 në Pragë, për kualifikueset e Euro 2024 në grupin E. Në këtë duel edhe sipas koeficientëve nga kompanitë e huaja të basteve, më të favorizuar janë vendasit. 1,55 kuotohet fitorja e vendasve, teksa barazimi në këtë duel vlen 3,75. Nga ana tjetër një fitore e "Shqiponjave" të Sylvinhos kuotohet me 7,00.

Për grupin E kualifikues, Çekia me shtatë pikë mban vendin e parë pas tre ndeshjeve, ndjekur nga Shqipëria me gjashtë pikë dhe Moldavia me pesë pikë (një ndeshje më shumë). Polonia mban vendin e katërt me tre pikë dhe Ishujt Faroe në fund me një pikë.

S.Dh/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • E.H.: 08/09/2023 04:19

    Cçekia e la vete golin per ne,,qe ti bejme rezistence polonise,,,,se cekia do te dale ne vend te 1 ne grup....punojne me llogari bota..jo si ne top te gjate rremuje para porte se do behet dicka., futbolli shqiptar zero me xhufka...

    Përgjigju
  • Tifozi: 07/09/2023 22:48

    Bravo çuna!

    Përgjigju
  • Bepi: 07/09/2023 22:09

    Hajt motren ku ta keni me Hasana e me hysena rrac muti

    Përgjigju
  • Fitore: 07/09/2023 17:43

    Kam mendimin se do te fitoje Shqiperia kete ndeshje

    Përgjigju
  • Berti: 07/09/2023 17:03

    Ishalla me fitore

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Dronë misteriozë shihen mbi tri baza amerikane në Britani

Dronë misteriozë shihen mbi tri baza amerikane në Britani