Ky është momenti kur efektivët shpëtojnë dy turistët holandezë që kishin mbetur në malin e Jezercës. Kërkimet kanë zgjatur disa orë, ndërsa turistët kishin mbetur të bllokuar për shkak të motit të keq në lartësinë 2500 metra.
“Kishin mbetur të bllokuar, në një terren tejet të thepisur dhe me dëborë, në mes të malit të Jezercës dhe Bjeshkëve të Nemuna, Policia i shkon në ndihmë 2 turistëve holandezë. Kërkimet zgjatën disa orë dhe ndihma iu ofrua përmes shoqërimit me këmbë nga shërbimet e Policisë dhe më pas, përmes transportimit me një helikopter të Ministrisë së Mbrojtjes.
Rreth orës 12:15, dy turistë holandezë kanë kërkuar ndihmë në sallën operative të Komisariatit të Policisë Tropojë, pasi duke eksploruar zonën e Valbonës, kishin mbetur të bllokuar mes malesh, për shkak të terrenit të thepisur dhe me dëborë. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë kanë organizuar punën dhe kanë nisur kërkimet, me qëllim lokalizimin e turistëve.
Pas disa orësh kërkime nga shërbimet e Policisë, turistët u lokalizuan në një zonë mes malit të Jezercës dhe Bjeshkëve të Nemuna. Ata u shoqëruan nga punonjësit e Policisë për disa orë me këmbë, në një terren shumë të rrezikshëm për jetën dhe pas mbërritjes në një terren ku mund të ulej helikopteri, u transportuan me një helikopter të Ministrisë së Mbrojtjes, në vendin ku ishin akomoduar.
Të dy turistët janë në gjendje të mirë shëndetësore. Ata kanë falënderuar shërbimet e Policisë për humanizmin e treguar dhe për ofrimin e menjëhershëm të ndihmës. Drejtoria Vendore e Policisë Kukës fton qytetarët që për çdo rast të nevojës për ndihmë, të telefonojnë në numrin pa pagesë 112”, njofton polica.
Lajmi kryesor: