E njëjta ngjarje, të njëjtët protagonistë, dy qëndrime të ndryshme! Sali Berisha i 2023-shit është antagonist me Sali Berishën e 2015-s.
Tetë vite më parë, në një seancë të nxehtë parlamentare, Berisha kërkonte dorëheqjen e Ilir Metës nga posti i Kryetarit të Kuvendit, me akuzën se kishte planifikuar vrasjen e deputetit Tom Doshi.
“Sot në Europë, sot në botë nuk ka kryetar parlamenti të akuzuar në këtë mënyrë nga një deputet i mazhorancës….nga deputeti Tom Doshi. Vetëm sa fakton shkallën e krimit. Hapni rrugën e hetimit, jepni dorëheqjen. Mos shfrytëzo votat e krimit për të qëndruar në atë post. Je kokë e qelbur, jep dorëheqjen” shprehej Berisha në vitin 2015 në Kuvend.
Në përgjigje ndaj Doktorit Ilir Meta shprehej: Unë për ty doktor bëj çdo sakrificë, por për Shkëlzen Berishën e kam dhënë njëherë dorëheqjen, dy herë nuk e jap për Shkëlzen Berishën. Ta sqaroj edhe më shumë”. Sot, 8 vite më vonë Sali Berisha ndan një tjetër mendim dhe atë që e akuzonte për planifikim vrasjeje në 2015-n, e që sot e ka aleat në opozitë e quan viktimë. Sot Berisha akuzon se Tom Doshi u fut nga Edi Rama që të akuzonte Ilir Metën se po përpiqej ta vriste. Ditën e djeshme Sali Berisha në një konferencë me gazetarët ndryshoi version. Nga Ilir Meta, akuzat u drejtuan te Edi Rama.
“E ka angazhuar këtë për Tom Doshin dhe Vangjush Dakon. Ka angazhuar ministrat e tij dhe së bashku me Tom Doshin në Vjenë kundër dëshirës ka urdhëruar dhe nisur Etilda Gjonajn, ministre të drejtësisë.
Në një aktivitet kryekëput në shkelje të ligjeve të vendit. Hetimi në Vjenë nuk u bë nga Toma, por nga qeveria për Tomën me qëllimin që njeriu që kishte zgjedhur president ta akuzonte për vrasës. E keni parasysh se çfarë i thoshte Durim Bami. Edhe në këtë aspekt Edi Rama ka kryer një krim të shëmtuar”.
Këto nuk janë të vetmet qëndrime antagoniste të Sali Berishës. Në kundërshtim me vetveten ai ka rënë edhe me deklaratat e dhëna në 2018 për lobimin me para ruse të Lulzim Bashës, me ato që shprehej në 2021, pasi u përjashtua nga Basha. Për mos t’u harruar justifikimet e tij për Fatos Nanon, se akuzat që kishte bërë për të ishin thjesht deklarata në kuadër të fushatës./ Tema