Bayer Leverkusen ka bërë detyrën në shtëpi duke mposhtur 5-1 Freiburgun për të ndjekur kryesuesit e Bundesligës, Bayern Munich. Në "BayArena" të besuarit e Xabi Alonsos s'e vendosën në diskutim suksesin paçka se Wirtz gaboi penalltinë në minutën e 33-të.
Në fundin e pjesës së parë Patrik Schick shënoi një gol "të ëmbël" për epërsinë e "Aspirinave". Me fillimin e pjesës së dytë Wirtz u korrigjua dhe shënoi golin e dytë, para se Grifo të shkurtonte për miqtë. Më pas duhej Schick që në minutat 67, 74 dhe 77 të shënonte tre gola të tjerë për "pokerin" personal.
Në ndeshjet e tjera të sotme te suksesi dolën Mainz, Gladbach, Holstein Kiel, St. Pauli dhe Werder Bremen. Me javën e 15-të të Bundesligës që mbyllet të diel, renditja në krye nuk ndryshon, me Bayern Munich që prin me 36 pikë, katër më shumë se Leverkusen.