Premier League e futbollit në Angli mbylli të enjten raundin e 21-të me barazimin 0-0 mes Arsenalit dhe Liverpoolit.
Skuadra e Mikel Artetës ishte më kërkuese në fraksionin e parë, duke dominuar në mbajtjen e topit dhe duke prodhuar rastet më të rrezikshme. Bukayo Saka dhe Declan Rice testuan vazhdimisht portierin Alisson, i cili u bë protagonist me disa pritje vendimtare. Momenti kulmor erdhi në minutën e 44-të, kur braziliani ndali një goditje të fuqishme të Rice nga distanca. Arsenal kërcënoi edhe nga krahët me Timber dhe Trossard, por mbrojtja e Liverpoolit rezistoi.
Në krahun tjetër, ekipi i Arne Slot u rrit me kalimin e minutave. Rastin më të mirë e pati Conor Bradley në minutën e 27-të, kur goditi shtyllën pas një topi të kthyer në zonë. Dominik Szoboszlai provoi disa herë nga distanca dhe nga goditjet standarde, por pa sukses.
Pjesa e dytë solli një 'luftë' të fortë në mesfushë, ritëm të shpejtë dhe pak hapësira për kreativitet, duke bërë që rastet e pastra të mungonin. Me këtë barazim, Arsenali ruan vendin e parë në renditje me 49 pikë, ndërsa Liverpooli pozicionohet i katërti me 35 pikë.
Komente









