Argjentina mposhti Francën në finalen e Kupës së Botës duke u shpallur kampione pas 36 vitesh. Miliona tifozë prej dy ditësh ishin në pritje që trofeu të mbërrinte në shtëpi. Në Buenos Aires mijëra tifozë ishin në pritje të mbërritjes së avionit të kombëtares, me Messin dhe shokët që kthyen trofeun në shtëpi.
Të shumtë ishin tifozët që prisnin skuadrën në shesh, teksa ekipi mbërriti në orët e para të së martës. Veç sheshit kryesor në Buenos Aires, tifozët kishin rezervuar edhe një pritje madhështore në aeroport.
Me autobus të hapur dhe trofeun në të, lojtarët e Argjentinës shfaqën para popullit të tyre trofeun më të lakmuar për kombe. E marta në Argjentinë u shpall festë kombëtare, me skuadrën që pas pushimit do pritet në institucionet më të larta shtetërore.
Kupa e Botës "Katar 2022" pa Argjentinën fituese, me festën në vendin e Amerikës Latine që ka qenë e përligjur. Të gjitha sheshet dhe rrugët e qyteteve argjentinase janë pushtuar nga tifozët, me këta të fundit që kanë emocionuar. Në një rast, një nga tifozët në Buenos Aires ka hequr fanellën "Albiceleste" dhe ia ka dhuruar një të pastrehu, me këtë të fundit që ka shpërthyer në lot.
Angel Di Maria ishte nga figurat kryesore të Argjentinës në finalen kundër Francës, teksa së bashku me Messin dhanë kontributin maksimal për fitimin e trofeut që u mungonte prej 36 vitesh.
Lojtari i Juventusit fitoi një 11 metërsh dhe realizoi golin e dytë për amerikano-latinët në 64 minutat që ishte prezent në fushë.
Jo gjithçka shkoi mirë për Di Marian para finales. Përpara ndeshjes së madhe, vajza e tij përfundoi në spital për shkak të temperaturës së lartë që e shoqëronte prej ditësh. Për fat të mirë mjekët ia dolën të stabilizonin gjendjen e saj dhe familja Di Maria mbështeti lojtarin në shkallët e stadiumit. Tej stresit për momentet e kaluara nga e bija, Di Maria ishte një "ëngjëll" për Argjentinën.
Lionel Messi vijon t'i gëzohet suksesit në Kupën e Botës me Argjentinën duke mos e lënë asnjë moment vetëm trofeun e artë. "Pleshti" pas mbërritjes në Argjentinë dhe festës me tifozët ka fjetur me trofeun. Duket se bashkëshorja e tij, Antonela do ndihet paksa xheloze.
Lionel Messi vijon të vendosë rekorde edhe jashtë fushës së futbollit. Postimi i "Pleshtit" për fitimin e trofeut të Kupës së Botës me Argjentinën ka shkuar në mbi 56 milionë pëlqime në Instagram, duke e bërë postimin me të pëlqyer në botë. Rekordin më parë e mbante fotoja e një veze me afro 56 milionë pëlqime.
Kombëtarja e Argjentinës dërgoi trofeun në kryeqytetin Buenos Aires, aty ku mijëra tifozë prisnin ekipin. Me autobus të hapur, lojtarët bënë parakalimin në sheshet kryesore. Në një moment Messi, De Paul, Otamendi, Paredes dhe Di Maria kanë shmangur një incident. Një kabull mund të kishte shkaktuar një ndodhi të pakëndshme, me lojtarët që për pak u rrëzuan nga autobusi por kanë "dribluar" bukur. Messi ka pasur në dorë edhe trofeun.