Këtë takim Meta e ka pasqyruar edhe në Facebook-un e tij ku shpreh mirënjohje për sakrificat e grupeve që po punojnë për menaxhimin e situatave.
Statusi në Facebook i Ilir Metës
Kënaqësi të falenderoja sot në Ferras Forcat e Armatosura, ato të Policisë dhe ekipet e emergjencave të Kosovës për menaxhimin plot përkushtim të përmbytjeve të Vjosës në ndihmë të banorëve të rrezikuar. Mirënjohje për sakrificat e tyre sepse jeta e qytetarëve është e para.
Prej dy ditësh vendi është duke kaluar një situatë të vështirë për shkak të shirave të shumtë. Reshjet kanë shkaktuar rrëshkitje të dherave, lumenj të fryrë, që kanë dalë nga shtrati dhe kanë përmbytush shumë zona, në Fier, Vlorë, Fushë-Kryjë, etj, dhe probleme me energjinë elektrike në shumë zona të vendit.
Fjala e plotë e Metës
“Dua t’ju falënderoj për punën tuaj, të ushtrisë, të prefekturës, të shtabit të emergjencave, jo vetëm këtu në Fier, por kudo, të policisë. Një falënderim të veçantë për forcat speciale të ardhura nga Kosova për ndihmën dhe mbështetjen e tyre. Të gjithë jemi dëshmitarë të kapriçove të natyrës përveç problemeve që edhe ne vetë i kemi krijuar duke nënvlerësuar ligjet e natyrës. Por për fat të mirë eksperiencat e së kaluarës kanë qenë mjaft pozitive për të përballuar këtë proces për të mos pasur humbje të jetës së njerëzve, për të mos pasur as dëme serioze sa i takon gjësë së gjallë, të cilat kanë ndodhur në përmasa të mëdha në të kaluarën.
Megjithatë, çdo përmbytje ka dëmet e saj dhe është e rëndësishme që edhe këto të evidentohen, por dua të shpreh mirënjohjen sidomos për forcat e ushtrisë që kanë bërë operacione të vështira edhe falë këtij angazhimit të tyre të policisë dhe të pushtetit vendor ne kemi një situatë më pozitive, gjë që nuk duhet të na ulë vigjilencën pasi kemi hyrë në kulmin e dimrit dhe përballë kapriçove të kohës duhet të qëndrojmë gjithmonë syhapur për arsye sepse dihen këto eksperienca.
Janë edhe vende shumë më të zhvilluara se ne të cilat kanë vështirësi në menaxhimin e përmasave të tilla, megjithatë unë besoj se kur koordinohet mirë, kur bashkëpunohet mirë dhe kur komuniteti e vetë banorët bashkëpunojnë me autoritetet dhe me ushtrinë e policinë, situata kalon me dëme më minimale. Kështu që urime të gjithëve për këtë punë të mirë që po bëni dhe që vazhdoni ta bëni”, Meta.
Er.K/Shqiptarja.com