Në stadiumin "Via del Mare", Lecce ia doli të merrte një pikë në shtëpi pasi barazoi 2-2 me gjigantët e Milanit. Për javën e 12-të në Serie A, kuqezinjtë nuk mundën të mbanin avantazhin e dy golave të pjesës së parë. Ishte Giroud që pas 28 minutave lojë shënoi për Milanin, ndërsa Reijnders i dërgoi shifrat në 0-2 para se skuadrat të shkonin në dhomat e zhveshjes. Në pjesën e dytë Sansone shënoi për të rihapur gjithçka në të 66 minutë, ndërsa Banda në minutën e 70-të barazoi. Në fund Piccoli shënoi edhe golin e tretë për Leccen, që u anullua për faull pas konsultës me VAR. Në të 90+3 minutë Giroud u ndëshkua me karton të kuq, teksa edhe Ylber Ramadani mori karton të verdhë, duke bërë një paraqitje të mirë për vendasit në 90 minutat e lojës. Pas javës së 12-të, Milani me 23 pikë mban vendin e tretë në klasifikim, teksa Lecce me 14 pikë shkon në vendin e 13-të.