Report Tv ka siguruar videon e momentit të ekzekutimit të biznesmenit Mondi MëhallaElbasan. 43-vjeçari u ekzekutua mbrëmjen e 30 nëntorit në një nga pikat e karburantit të tij "Xhaxhi Oil", sapo u fut në "Range Rover".

Në videon e siguruar nga gazetari Sokol Dema duket momenti kur ekzekutori i 43-vjeçarit del nga makina e tij tip "Audi" i mbuluar me kapuç dhe shkon drejt automjetit ku ndodhej biznesmeni. Në momentin që autori i afrohet anash makinës, nga krahu i shoferit, shtin me pistoletë drejt Mondi Mëhallës disa herë, duke i marrë jetën me 2 plumba në kokë.

Numri i arrestuarve për vrasjen e biznesmenit Edmond Hyka alias Mondi Mëhalla ka shkuar në tre. Pas prangosjes së 32-vjeçarit Xhino Ago, ish-ortakut të Mëhallës dhe Kujtim Pishës, rojes së karburantit ku ndodhi ngjarja, policia ka arrestuar edhe 29-vjeçarin Nevzat Spaho si person i dyshuar.

Zyrtarisht blutë thonë se nga hetimi dyshohet se i riu është i përfshirë në ngjarjen e rëndë si bashkëpunëtor, por pa dhënë detaje të mënyrës se si ka bashkëvepruar më grupin. Mbi të rëndojnë akuzat e vrasjes me paramendim të kryer në bashkëpunim dhe armëmbajtje pa leje.

Në këtë fazë të hetimit, policia vijon të jetë hermetike mbi ngjarjen, pasi ka akoma detaje të pazgjidhura mbi motivin e saktë të ekzekutimit të 43-vjeçarit. Përveç konfliktit për biznes, pistë e rëndësishme, e cila po verifikohet, është edhe prishja e mundshme e pazareve të drogës.

Policia njoftoi një ditë më parë arrestimin e Xhino Agos për vrasje me paramendim të kryer në bashkëpunim dhe armëmbajtje pa leje, si dhe të Kujtim Pishës, roje në karburantin “Xhaxhi Oil”,  për moskallëzim krimi. Në kërkim vijojnë dy autorët, Marselo Arani, 32 vjeç, dhe Armando Kola, 35 vjeç. Automjeti i përdorur në krim rezulton të jetë në pronësi të Agos, dhe ia kishte dhënë për përdorim Aranit. Ky i fundit ndodhej nën “arrest shtëpie” për një çështje tjetër penale.

Mëhalla dhe Ago kanë qenë më parë ortakë. Në mars të vitit 2023, Mëhalla i ka shitur Agos kompaninë “Albania Car Agency”, e cila ofron shërbime të qirasë së automjeteve dhe taksive. Më 24 prill 2025, sipas të dhënave të QKB-së, Mondi Mëhalla ka themeluar zyrtarisht kompaninë “El Taxi shpk”, me të njëjtin objekt aktiviteti. E njëjta markë biznesi është reklamuar më herët edhe nga Xhino Ago në rrjetet sociale, pavarësisht se ligjërisht nuk figuronte më ortak me Mëhallën.

Mondi Mëhalla u ekzekutua me dy plumba në kokë dhe një në trup mbrëmjen e 30 nëntorit sapo kishte dalë nga një zyrë në karburantin në pronësi të tij “Xhaxhi Oil”, dhe hyri në makinë. Ai u qëllua në kokë me 2 plumba pistolete, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.  Njëri nga autorët doli nga makina “Audi”, u afrua dhe qëlloi. Dy autorët u larguan më pas drejt Librazhdit, ku edhe dogjën automjetin në Mirakë, brenda të cilit u gjet e djegur pistoletën Beretta, të përdorur në krim.