Kamerat e sigurisë në aeroportin e Jemenit kanë regjistruar momentin dramatik të evakuimit të kreut të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, gjatë sulmit raketor izraelit.
Në pamjet e filmuara në aeroportin e kryeqytetit të Jemenit, Ghebreyesus shihet fillimisht duke u relaksuar në një sallë pritjeje, ndërsa krejt papritur shoqëruesit e marrin dhe e largojnë me nxitim. Në këtë moment, videoja ndërpritet dhe pamjet tregojnë momentin kur raketa izraelite godet kullën e kontrollit në aeroportin e Sanaa-s.
Drejtori i Pergjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanon Ghebreyesus, deklaroi pas incidentit se i kishte shpëtuar vdekjes së sigurt pas sulmit ajror në aeroportin e Jemenit, ku u vranë të paktën gjashtë persona dhe mbeti i lënduar një pjestar i ekipit të tij.
Teksa fliste për BBC, Ghebreyesus e përshkroi incidentin si “kaotik”, me “njerëz të hutuar që vraponin ngado.”
Kreu i OBSH-së ndodhej në Jemen për të negociuar lirimin e disa pjestarëve të stafit të organizatës, të cilët gjenden të arrestuar, si edhe për të vlerësuar situatën humanitare dhe shëndetësore në vendin e shkatërruar nga lufta.