Lazio ka nisur grumbullimin dhe deri më 28 korrik do qëndrojë në Auronzo di Cadore, aty ku bardhekaltrit do përgatisin sezonin e ri në Serie A. Skuadra e Sarrit ka zhvilluar edhe testin e parë miqësor, me Lazion që fitoi 16-0 kundër skuadrës lokale të Auronzo.
Te goli në këtë ndeshje doli edhe Elseid Hysaj. Mbrojtësi i Kombëtares hapi sfidën pas vetëm 2 minutash, duke shënuar një gol fluturimthi në versionin e një bomberi.
Veç kësaj miqësoreje, Lazio do zhvillojë edhe tre duele të tjera deri më 28 korrik, përpara se më 3 gusht të luajë kundër Aston Villas. Te Lazio janë në kërkim të një drejtori sportiv pas largimit të Igli Tares, ndërsa kërkohet edhe zëvendësi i Milinkovic-Savic, me serbin që kaloi në Arabinë Saudite.