TIRANË - Kombëtarja shqiptare e futbollit mëngjesin e sotëm mbylli përgatitjet në “Shtëpinë e Futbollit” dhe është nisur drejt Austrisë.
Nën një atmosferë fantastike, menjëherë pas përfundimit të stërvitjes djemtë kuqezi përjetuan një emocion të veçantë. E gjithë administrata e FSHF-së dhe disa fëmijë nga akademitë e futbollit në Tiranë takuan lojtarët dhe stafin teknik, duke i uruar suksese dhe një përfaqësim sa më dinjitoz në finalet e Kampionatit Europian “Gjermani 2024”.
Kuqezinjtë do bujtin në Graz të Austrisë ku do rrinë deri më 8 qershor, ndërsa do përgatisin edhe dy miqësoret, ato kundër Lihtenshtajnit (3 qershor) dhe Azerbajxhanit (7 qershor), që do luhen në Hungari.

Pas ndeshjeve ekipi do stacionohet në Dortmund, aty ku është kampi bazë për përgatitjet e tre ndeshjeve në finalet e Grupit B, ato kundër Italisë, Spanjës dhe Kroacisë.