RROGOZHINË - Egnatia fitoi 2-1 në shtëpi kundër Kukësit për ndeshjen hapëse të javës së 11-të në Superligë. Me fillim në 14:00, të dyja skuadrat dolën në fushën e rinovuar të "Egnatia Arena", me 90 minutat që ishin emocionuese.
Dueli do zhbllokohej nga miqtë e Stavri Nicës. Në minutën e 26-të ishte La Torre që ndëshkoi Sherrin. Një pasim nga porta prej Tafas bëri që me tre pasime Kukësi të dilte përballë portës së vendasve, me La Torre që nuk fali duke kaluar verilindorët në avantazh.
Vetëm dhjetë minuta zgjati avantazhi i miqve, me kryesorin Andi Koçi që akordoi një penallti. Edhe pas konfirmimit të VAR, Egnatia barazoi rezultatin me Fernandon nga penalltia.
Pjesa e parë u mbyll me rezultatin e njëjtë 1-1, ndërsa gjithçka iu la fraksionit të dytë. Duhej një perlë e Sebastian Spahiut në minutën e 56-të që Egnatia të merrte kryesimin. Kontrolli i bukur i mesfushorit dhe goditja perfekte shtangën Tafas në portë, për rezultatin 2-1. Me të vërtetë një gol i bukur nga Spahiu, me Egnatian që këtë edicion ka shënuar disa gola spektakolarë.
Pas dy fitoreve (kundër Laçit dhe Vllaznisë), Kukësi merr humbje në transfertë duke mbetur në kuotën e 13 pikëve për vendin e pestë momental. Me 23 pikë, Egnatia mban vendin e parë, tre pikë më shumë se Partizani që luan nesër kundër Laçit në udhëtim.
Egnatia fitoi 2-1 me përmbysje kundër Kukësit, për javën e 11-të në Superligë. Pas ndeshjes, trajneri i rrogozhinasve Edlir Tetova tha se skuadra e tij duhet t'i kënaqet vetëm tri pikëve pasi vuajtën në 15 minutat e fundit.
"Një 3 pikësh i çmuar për ne, nuk ishim në 100 përqind të asaj që jap gjithmonë, një ndeshje që duhet t'i kënaqemi tri pikëshit. Sot vetëm kishim rotacion, Zejnullai kishte lodhje, freskuam krahun e majtë, lamë dhe Paulauskas se luajti ndeshjet e plota me kombëtaren e tij. Shkoi mirë deri diku, pjesa tjetër kemi humbur shumë topa të thjeshtë dhe na dënoi tek goli i parë. Po vuajmë 15 minutat e fundit, ka një tërheqje të ekipit jo domosdoshmërisht nga unë, por djemtë duan të ruajnë rezultatin, do ta përmirësojmë në vazhdim, që mos të kemi oshilacione në të ardhmen", tha pas ndeshjes Tetova për MCN.