Një minutë para fundit të ndeshjes, me rezultatin komod 3-2 kundër Realit të Madridit, portieri i Benficas, Anatoliy Trubin, as që e kishte idenë që ekipit të tij i duhej edhe një gol për të kaluar Marseillen në renditje dhe për t'u kualifikuar për në fazën play-off të Champions League. Madje, ukrainasi po vononte lojën që të tijtë të merrnin tri pikë kundër gjigantëve të Real Madridit.

Por, në harkun e pak sekondave tifozët po fërshëllenin vonesën e lojës prej tij, me 24-vjeçarin që fillimisht duhet të ketë qenë i habitur për reagimin e tifozëve dhe ulërimat e presidentit Rui Costa nga tribuna. Më në fund ai e kuptoi që Benficas i duhej edhe një gol për të kaluar në play-off falë golavarazhit më të mirë.

Në harkun e pak sekondave Anatoliy Trubin ftillohet dhe këtu nis të shkruhet historia.

Me dy lojtarë më pak pas daljes me kartona të kuq të Asencios dhe Rodrygos në shtesë, Reali i Madridit nuk u mjaftua me tre golat e pësuar, por shkaktoi edhe një faull disi larg zonës.

Kaq mjaftoi që Jose Mourinho të kërkonte më shumë forca në sulm në rastin e fundit të ndeshjes. Strategu i stolit ftoi portierin Trubin të dilte përpara dhe ky ishte ndër vendimet më të mira në karrierë.

Anatoliy Trubin del në sulm, pozicionohet në rrethin e 16 metrave dhe pret krosimin e Fredrik Aursnes, i cili ishte kirurgjikal. Pak sekonda dhe goditja me kokë e portierit përfundon në rrjetë për të çuar në festë më shumë se 60 mijë tifozët e Benficas në shkallët e stadiumit dhe mijëra të tjerë kudo po ndiqnin ndeshjen.

Anatoliy Trubin bëhet portieri i radhës që përjeton magjinë e golit në çastet vendimtare të sfidës, madje duke i dhënë të tijve një biletë për në play-off e Champions League, kompeticionit që ofron 'magji' të tilla deri në sekondat e fundit.